Gjatë këtyre operacioneve janë shkatërruar katër depo armësh të ISIS-it.
Forcat amerikane dhe partnerët e tyre kanë vrarë ose kapur gati 25 operativë të Shtetit Islamik (ISIS) që prej nisjes së sulmeve hakmarrëse në Siri në fillim të këtij muaji, bëri të ditur ushtria amerikane.
Sipas raportimit të Reuters, operacionet pasuan sulmet ajrore të shkallës së gjerë që Shtetet e Bashkuara kryen më 19 dhjetor, në përgjigje të një sulmi ndaj personelit amerikan në rajon.
“Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) dhe partnerët në Siri kanë vrarë të paktën shtatë anëtarë të ISIS-it dhe kanë kapur pjesën tjetër gjatë 11 misioneve të zhvilluara nga 20 deri më 29 dhjetor”, thuhet në deklaratën e CENTCOM, cituar nga Reuters.
Në njoftim theksohet gjithashtu se gjatë këtyre operacioneve janë shkatërruar katër depo armësh të ISIS-it, duke goditur kapacitetet logjistike dhe operacionale të grupit ekstremist.
Sipas ushtrisë amerikane, misionet synojnë të pengojnë përpjekjet e ISIS-it për t’u riorganizuar dhe për të kryer sulme të reja në Siri dhe rajon, ndërsa operacionet e përbashkëta me forcat partnere pritet të vijojnë edhe në vijim.










