Më 30 dhjetor shënohet Dita e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Këtë ditë e kanë përkujtuar krerët e shtetit, nga Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kreu i Kuvendit, Dimal Basha, por edhe nga krerët e partive politike.
Por, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në këtë ditë pati kritika ndaj institucioneve të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, OVL-UÇK tha se kjo ditë do të duhej të ishte reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që e sollën lirinë.
Por, kjo organizatë tha se në vend të kësaj, “për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri”.
Ata thonë se kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, “në bashkëpunim me Listën Serbe”.
“U toleruan deklarata fyese, përçmuese dhe linçuese ndaj veteranëve të UÇK-së. U lejua që luftëtarët të etiketohen, të poshtërohen dhe të trajtohen si barrë, pa asnjë mbrojtje shtetërore”.
“Madje, u tha publikisht se ‘më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin’”.
“Kjo është një politikë e ftohtë, e qëllimshme dhe e organizuar kundër UÇK-së”, tha OVL-UÇK në reagimin e saj.
Sipas tyre, sot, përveçse që nuk u trajtuan me dinjitet për vite me radhë, veteranët nuk u kujtuan as simbolikisht.
U tha se nuk u organizua asnjë aktivitet shtetëror, se nuk u bë asnjë vizitë te varret e dëshmorëve nga institucionet.
Sipas OVL-UÇK, “kjo heshtje është qëndrim politik”.
“Dhe ky qëndrim tregon se, fatkeqësisht, shteti po përpiqet të shkëputet nga lufta që e solli në jetë”, tha OVL-UÇK më tej në reagim.
Në fund, kjo organizatë ua rikujtoi institucioneve se “Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti, as nga administrata, as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”.










