Një tender i bllokuar dhe një vendim që mungon mjaftuan që Policia e Kosovës të mbetej pa furnizim me ushqim për zyrtarët e saj. Në këtë boshllëk institucional, urgjenca ekstreme u bë zgjidhje dhe kontrata përfundoi te e njëjta kompani që kishte kontestuar procedurën e hapur në OSHP, shkruan Demokracia.com.
Një situatë e pazakontë, por domethënëse për mënyrën se si funksionon zinxhiri institucional i prokurimit publik, është krijuar rreth furnizimit me ushqim të Policisë së Kosovës. Ndërkohë që një tender i madh, me vlerë disa milionëshe, është anuluar dhe kontestuar, institucionet janë futur në një boshllëk vendimmarrjeje, i cili ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në terren. Policia ka mbetur pa ushqim.
Në këtë rast, paradoksi nis nga vetë procedura ankimore. Eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit ka konstatuar se ankesa e operatorit ekonomik “Beni Dona Plast SH.P.K.” është e pabazuar, duke i dhënë të drejtë Policisë së Kosovës për anulimin e aktivitetit të prokurimit, për shkak të çmimeve të vlerësuara si jo të arsyeshme krahasuar me tregun. Megjithatë, pavarësisht këtij konstatimi profesional, paneli i OSHP-së ende nuk ka marrë vendim përfundimtar.
Kjo vonesë procedurale ka krijuar një situatë ku Policia e Kosovës, si institucion me funksion të pandërprerë, nuk ka pasur më kontratë valide për furnizim me ushqim, një shërbim bazik për operimin e saj ditor. Në mungesë të një vendimi final që do të qartësonte rrugën ligjore, Policia është përballur me një realitet të thjeshtë, ose do të vepronte urgjentisht, ose do të mbetej pa shërbim esencial.
Pikërisht këtu lind edhe elementi më problematik i rastit. Për të shmangur ndërprerjen e furnizimit, Policia e Kosovës ka proceduar me procedurë të negociuar pa publikim, një mekanizëm ligjor i paraparë për raste emergjente dhe të paparashikueshme. Kontrata e përkohshme, me kohëzgjatje disa mujore, është lidhur për të mbuluar periudhën derisa të sqarohet fati i kontratës së madhe.
Kontrata është për tre muaj në vlerë prej 650 mijë euro.

Çmimi për njësi, qe i është dhënë “Beni Dona Plast” është 53.9 uro.

Por ironia qëndron në faktin se kjo kontratë urgjente i është dhënë pikërisht kompanisë që kishte parashtruar ankesën dhe për të cilën eksperti i OSHP-së kishte konstatuar se nuk kishte ofruar çmime të arsyeshme. Pra, ndërsa ankesa e saj nuk është pranuar në nivel ekspertize, kompania rikthehet si furnizues përmes rrugës së urgjencës.
Pra nga njëra anë, Policia e Kosovës ka vepruar për të garantuar funksionalitetin institucional dhe për të mos lejuar që një proces administrativ i zgjatur të rrezikojë operimin e saj. Nga ana tjetër, mungesa e një vendimi përfundimtar nga paneli i OSHP-së ka krijuar hapësirë për një zgjidhje që, në pamje të parë, bie ndesh me logjikën e vendimit fillestar për anulim.
Derisa paneli i OSHP-së të marrë vendim përfundimtar për kontratën e madhe, situata mbetet pezull te tenderi hapur i vlerës së madhe.
Beni Dona Plast SH.P.K.” është e lidhur me Ragip Mustafën, një biznesmen i njohur për afërsinë e tij me strukturat e LDK-së. Nga njerëz të partisë në pushtet, Kompani është përmendur edhe më herët në kontekstin e përfitimit të kontratave publike, përfshirë furnizime për FSK-në në periudha të mëparshme. /Demokracia.com/










