Vitinha është afirmuar përfundimisht si një nga mesfushorët më ndikues të futbollit europian. I vlerësuar në “Globe Soccer Awards” 2025, portugezi mbylli një sezon pothuajse perfekt me PSG, të kurorëzuar me fitoren në Champions League dhe me 6 trofe nga 7 të mundshëm. Nën drejtimin e Luis Enrique, 25-vjeçari spikati për vizionin e lojës, aftësinë për të diktuar ritmin dhe ndikimin në skuadër, duke treguar pjekuri të rrallë për moshën e tij.
Në një intervistë për “Marca”, ai foli për frymëzimet e tij: “Pa dyshim Iniesta ka qenë modeli im kryesor, shembull elegance dhe inteligjence taktike. Dhe pastaj Luka Modrić, sigurisht. Këta dy lojtarë kanë formësuar mënyrën time të të parit të futbollit”.
Pavarësisht sukseseve, Vitinha synon më shumë: “Sezon perfekt? Pothuajse. Na vjen keq për Botërorin e Klubeve, por 2025 ishte vit i jashtëzakonshëm. Duhet të vazhdojmë kështu dhe, nëse është e mundur, t’i përmirësojmë 6 trofetë e fituar”.
I renditur i treti për “Topin e Artë” 2025, pas Lamine Yamal dhe Ousmane Dembélé, Vitinha mbetet motori i PSG-së, gati t’i udhëheqë parizienët drejt objektivave të rinj europianë.
The post Vitinha, “fari” i PSG-së: Frymëzohem nga Iniesta dhe Modrić. Sezon perfekt? Pothuajse appeared first on Telesport.










