Kroos: Klubi më i madh ku kam luajtur? Përgjigjja është shumë e thjeshtë…

Kroos dha një intervistë për Romario, ku foli mbi karrierën e tij, Real Madridin dhe Botërorin e ardhshëm, ku e vendos Spanjën si një nga favoritet kryesore. Ai kërkon gjithashtu kohë që Xabi Alonso të ketë sukses te Real Madridi.

Jeta pas tërheqjes nga futbolli: “Nuk jam më futbollist, por jeta mbetet e bukur, ndihem shumë mirë. Një pjesë e jetës ka kaluar dhe jam po aq i lumtur sa më parë. Përfundova një fazë të rëndësishme prej pothuajse 30 vitesh, por jam i lumtur. Tani punoj me fëmijë dhe jeta është ende e bukur”.

Karriera: “Klubi më i madh ku kam luajtur? Real Madridi. Kisha fatin të luaja në klubin më të mirë në botë për 10 vite. Aty arrita më shumë suksese dhe ndjeva më shumë rehati. Klubi ishte si një familje e madhe”.

Xabi Alonso: “Më e vështira si trajner është të stërvitësh Real Madridin. Aty, edhe kur fiton, shpesh askush nuk është i kënaqur. Duhet të kesh rezultate menjëherë. Xabi është shumë i mirë dhe ka cilësi për ta stërvitur Realin, por duhet t’i jepet kohë”.

Endrick: “Për të është më e rëndësishme të luajë. Nëse nuk ka mundësi te Real Madridi, më mirë të shkojë me huazim te një klub tjetër. Edhe unë veprova kështu 18 vjeç, nga Bayerni te Leverkuseni”.

Lojtarët brazilianë: “Më kanë pëlqyer gjithmonë. Me Vini, Casemiro, Militao kam pasur një lidhje të mirë brenda dhe jashtë fushës. Shfrytëzoja lëvizjet e Vinit dhe ai pasimet e mia”.

Botërori 2026: “Spanja, Portugalia, Franca dhe Maroku janë favoritët kryesorë. Nuk e përfshij Brazilin, por mund të jetë. Nuk jam dakord të shtohen shumë finalistë; duhet të ruhet cilësia e kompeticionit dhe lojtarët”.

Ancelotti dhe Brazili: “Ai mund të largohej më herët, por qëndroi në Madrid. Ka shumë shanse të ketë sukses me Brazilin, kombëtare me lojtarë të mirë si Vini”.

Neymar: “Pyetja kryesore është kur do të jetë 100%. Ka pasur shumë lëndime dhe ritmi mund t’i mungojë. Nëse është mirë fizikisht, mund të ndihmojë çdo skuadër”.

Gjermania: “Është gjithmonë aty, por nuk e shoh mes favoritëve kryesorë. Mund të arrijë çerekfinalet ose gjysmëfinalet e Botërorit”.

Fitorja 7-1 kundër Brazilit: “Botërori 2014 ishte një përvojë e mrekullueshme. Ditët në Brazil ishin fenomenale. Ndeshja ishte e vështirë për brazilianët, por reagimi i tyre ishte pozitiv”.

Botërori i Klubeve: “Në Madrid të mësojnë të fitosh çdo turne. Për brazilianët ishte shumë i rëndësishëm, për europianët vlen më shumë Champions League. Më lehtë fitohet Botërori i Klubeve sesa Champions-i”.

Pyetje të shpejta: “Ancelotti është trajneri më i mirë që kam pasur. ‘Bernabéu’ është stadiumi më i mirë. Finalja e Champions-it kundër Juventusit është ndeshja më e mirë që kam luajtur. Cristiano është lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur. Gjithçka që kam përjetuar ka qenë një ëndërr”.

The post Kroos: Klubi më i madh ku kam luajtur? Përgjigjja është shumë e thjeshtë… appeared first on Telesport.