Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë gazetarëve nëpërmjet WhatsApp mëngjesin e së hënës se i ka kërkuar Donald Trumpit, të ofrojë garanci sigurie deri në 50 vjet, gjatë takimit të tyre në rezidencën e presidentit amerikan në Mar-a-Lago, Florida, të dielën.
Zelensky ka thënë se në vend të kësaj, një draft i kornizës së paqes parashikon garanci sigurie nga SHBA-ja për Ukrainën për 15 vjet.
Nuk është e qartë se çfarë forme do të marrin këto angazhime, por udhëheqësi ukrainas ka kërkuar garanci sigurie “të ngjashme me nenin 5” nga Evropa dhe SHBA-ja, duke iu referuar parimit themelues të NATO-s se një sulm ndaj një anëtari duhet të shihet si një sulm ndaj të gjithëve.
Administrata Trump ka intensifikuar përpjekjet për fundin e luftës në Ukrainë, që kur ka rrjedhur një plan i paqes i saj prej 28-pikash.
Disa runde bisedimesh janë zhvilluar deri më tani ndërmjet SHBA-së e Ukrainës dhe SHBA-së e Rusisë, por ato nuk kanë dhënë rezultat të pritshëm.
Në takimin e së dielës Trump-Zelensky, presidenti amerikan ka deklaruar se marrëveshja për Ukrainën mund të ndodhë brenda pak javësh, teksa ka shtuar se vetëm pak çështje kanë mbetur për t’u zgjidhur.










