“Reuters”: Zgjedhjet si “tërmet politik” në Kosovë e sjellin Kurtin të ringjallur

Një fitore bindëse në zgjedhje për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shënon një ringjallje për udhëheqësin nacionalist, duke i dhënë fund një ngërçi politik në shtetin më të ri në Evropë dhe duke e përcaktuar potencialisht agjendën e brendshme dhe ndërkombëtare të vendit për vitet në vijim.  

Reuters

Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, partia Vetëvendosje e Kurtit udhëheq me më shumë se 49 për qind të votave, tregojnë rezultatet zyrtare, që do të thotë se atij do t’i nevojiten vetëm disa partnerë të vegjël koalicioni për ta formuar shumicën.

Fitorja e fuqizon mandatin e Kurtit për t’i vazhduar reformat e brendshme, përfshirë zgjerimin e mbështetjes për mirëqenie dhe pagat më të larta për punonjësit publikë, edhe pse ai ballafaqohet me probleme të mëdha, përfshirë tensionet me Serbinë di sistemet e shëndetësisë e arsimit që qëndrojnë prapa fqinjëve në Ballkan.

Kjo fitore sinjalizon një pikë kthese për Vetëvendosjen, dështimi i së cilës për të fituar vota të mjaftueshme në zgjedhjet e kaluara në shkurt ose për të formuar një koalicion me partitë më të mëdha opozitare nënkuptoi që Kuvendi të mos funksiononte për shumicën e vitit 2025, një ngërç që çoi në vonesa në shpërndarjen e rreth 1 miliard eurove nga fondet ndërkombëtare, jetike për njërin nga vendet më të varfra në Evropë.

Këto fonde tani mund të zhbllokohen, kur Kuvendi të rimblidhet dhe t’i ratifikojë marrëveshjet me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore. BE-ja reagoi për zgjedhjet duke e duartrokitur “përkushtimin e fortë [të Kosovës] ndaj parimeve demokratike” dhe tha se do të lëshonte më shumë fonde për vendin në fillim të vitit të ardhshëm.

Rezultati i saktë i një mandati tjetër të Kurtit është i paqartë, por në pyetje janë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë historikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, gjë që Kurti e mbështet, si dhe marrëdhëniet e tensionuara me fqinjën veriore, Serbinë.

“Është një tërmet politik që i ka shkatërruar partitë opozitare dhe ne do t’i ndiejmë pasojat e këtij rezultati gjatë dekadës së ardhshme” – tha komentuesi politik, Ilir Deda.

“Kosova ka vendosur që ta zëvendësojë pluralizmin e saj politik me një model të qeverisë shumë të fortë e opozitës së dobët, si vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor” – shtoi ai.

Zgjedhjet sjellin shpresë dhe skepticizëm

Zgjedhjet e së dielës ndodhën në periudhën e festave, kur diaspora e Kosovës zakonisht vjen në atdhe në mënyrë masive, gjë që mund ta ketë ndihmuar Kurtin, i cili më parë ishte zgjedhur kryeministër më 2021. Sipas një sondazhi të kryer nga kompania “Ubo Consulting”, 61,7 për qind e njerëzve nga diaspora votuan për partinë e kryeministrit.

“Jemi të lodhur nga kjo bllokadë 9-mujore që na ka kushtuar me nerva, që i kushtoi Kosovës miliona euro dhe e ktheu prapa zhvillimin tonë. Me këtë rezultat ka një zgjidhje dhe për këtë arsye jemi të gëzuar” – tha Tahir Shabani, 58 vjeç, i cili jeton në Gjermani, por u kthue në Prishtinë për të votuar.

Prapëseprapë, disa të tjerë duan që të shohin ndryshime të menjëhershme pas ngërçit, sidomos në cilësinë e jetës, kujdes shëndetësor dhe arsim.

“Institucionet duhet të formohen dhe shteti duhet të vazhdojë të funksionojë. Kemi shumë punë për të bërë, siç tha edhe kryeministri. Buxheti duhet të miratohet, duhet t’i miratojmë marrëveshjet ndërkombëtare dhe duhet të bëhet progres” – tha 52-vjeçari nga Prishtina, Skender Halimi.

Përktheu: Nacionale.

Mediumi gjermane ARD: Kurti triumfon befasisht bindshëm, falë vizitorëve mërgimtarë