Vengu: Betimi ushtarak është zgjedhje nderi dhe përgjegjësie për sigurinë e vendit

Ai u shpreh se profesioni ushtarak nuk premton rehati, por jep kuptim, nuk garanton lehtësi, por ndërton dinjitet.

Në një ceremoni solemne betimi, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mbajti një fjalë të fortë dhe domethënëse përpara rekrutëve, kadetëve dhe studentëve ushtarakë, duke e cilësuar këtë moment si një pikë kthese nga individualiteti drejt përkatësisë dhe nga rruga personale drejt shërbimit për kombin.

Ai theksoi se ata që sot qëndrojnë në rresht për të bërë betimin nuk janë më thjesht emra të rinj, por pjesë e një trupi të përbashkët që mban mbi supe sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Ministri vuri në dukje se Forcat e Armatosura nuk janë vetëm një strukturë institucionale, por një trup besimi, disipline dhe përgjegjësie që shoqëron çdo ushtarak gjatë gjithë jetës, si në shërbim ashtu edhe në karakter.

Ai vlerësoi veçanërisht faktin që bashkimi me ushtrinë bëhet vullnetarisht, në një kohë kur rajoni dhe kontinenti përballen me sfida të mëdha të sigurisë dhe shumë shtete po rikthejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Sipas tij, kjo zgjedhje e lirë ka peshë morale, shoqërore dhe strategjike, sepse buron nga ndërgjegjja dhe jo nga detyrimi.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se kjo rrugë nuk nis sot, por mbështetet mbi sakrificat dhe përkushtimin e brezave të mëparshëm të ushtarakëve, të cilët shërbyen në kushte shumë më të vështira, me më pak mjete, por me të njëjtin ndjenjë nderi dhe përgjegjësie.

Ai nënvizoi se fuqia reale e një ushtrie nuk matet vetëm me teknologji dhe pajisje, por mbi të gjitha me kapitalin njerëzor, me karakterin, disiplinën dhe aftësinë për të vepruar nën presion.

Ministri e cilësoi arsimin ushtarak si themelin e forcës së Forcave të Armatosura dhe theksoi se vizioni strategjik “Mbrojtja 2030” mbështetet në dy shtylla kryesore, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe ndërtimin e infrastrukturës kritike.

Ai nënvizoi se investimet në Akademinë e Forcave të Armatosura, në qendrat stërvitore, laboratorët, poligonet dhe sistemet moderne të trajnimit nuk janë luks, por domosdoshmëri për një ushtri moderne, të besueshme dhe plotësisht të ndërveprueshme me aleatët e NATO-s.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt të rinjve në uniformë, Vengu theksoi se asnjë reformë, buxhet apo teknologji nuk mund të zëvendësojë karakterin, i cili formohet në stërvitje të lodhshme, në disiplinë të përditshme dhe në momente presioni, aty ku farkëtohet ushtari dhe oficeri.

Ai vlerësoi gjithashtu praninë e kadetëve dhe studentëve nga Kosova, duke e cilësuar edukimin e përbashkët ushtarak si ndërtim real besimi, ndërveprueshmërie dhe sigurie rajonale, që në misione reale përkthehet në kohezion dhe sukses operacional.

Në përmbyllje, ai theksoi se Forcat e Armatosura sot janë më shumë se një ushtri tradicionale, duke përfshirë edhe dimensionin kibernetik, vendimtar për sigurinë e shekullit XXI, dhe duke përfaqësuar një rezervë strategjike të kapitalit njerëzor për qëndrueshmërinë e kombit.

Ai u shpreh se profesioni ushtarak nuk premton rehati, por jep kuptim, nuk garanton lehtësi, por ndërton dinjitet, duke falënderuar në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Qeverisë së Shqipërisë të gjithë ata që kanë zgjedhur të shërbejnë dhe duke uruar që betimi, uniforma dhe flamuri të mbahen gjithmonë me nder.