Parisi, shtëpi e dytë për Marquinhos: Kam nisur procedurat për marrjen e shtetësisë

Kapiteni historik i PSG, Marquinhos, po bën një hap të rëndësishëm në jetën personale, duke nisur procedurat për të marrë shtetësinë franceze. Në një intervistë për RTL, mbrojtësi brazilian zbuloi se kërkesa është iniciuar nga bashkëshortja e tij, Carol Cabrino, dhe se ai po e ndjek me kujdes të madh procesin. “Është një mënyrë për të simbolizuar gjithçka që Franca dhe Parisi më kanë dhënë”, – tha Marquinhos, duke theksuar se 13 vitet në kryeqytet dhe lindja e fëmijëve në Paris kanë forcuar lidhjen e tij me qytetin.

I ardhur në Paris nga Roma pas vetëm një sezoni në Itali, ai ka ndërtuar një histori të vërtetë dashurie me klubin dhe qytetin. Pas viteve me zhgënjime në Europë, “shenjtërimi” erdhi me Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, e ndjekur nga Kupa Interkontinentale. Me 504 paraqitje me fanellën e PSG-së, ai mban rekordin e ndeshjeve me klubin dhe ka kontratë deri në qershor 2028.

Marquinhos po mendon të jetojë gjatë në Paris edhe pas karrierës: “Pse të mos vazhdoj të jetoj këtu? Ka shumë gjëra për t’u vlerësuar, sa vite do të luaj dhe si do të jetë jeta ime pas futbollit”. Mes familjes, integrimit dhe pasionit sportiv, braziliani po përgatit një kapitull të ri në jetën e tij në Paris, duke forcuar rolin si legjendë e klubit dhe lidhjen me qytetin, që e konsideron shtëpi.

The post Parisi, shtëpi e dytë për Marquinhos: Kam nisur procedurat për marrjen e shtetësisë appeared first on Telesport.