Në një intervistë ekskluzive për CBS News, partner i BBC-së në SHBA, ai tha se veproi për të ndalur vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
Burri që çarmatosi njërin nga autorët e sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach, ku u vranë 15 persona gjatë një aktiviteti hebraik, ka treguar për herë të parë çastet që i paraprinë aktit të tij heroik.
Në pamje të verifikuara, Ahmed al Ahmed, një tregtar nga Sidney, i lindur dhe rritur në Siri, shihet teksa sulmon nga pas njërin prej autorëve dhe i rrëmben pushkën me të cilën po vriste njerëz të pafajshëm.
Në një intervistë ekskluzive për CBS News, partner i BBC-së në SHBA, ai tha se veproi për të ndalur vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
“E mbajta me dorën e djathtë dhe fillova t’i flisja, për ta paralajmëruar: ‘Lësho armën, ndalo atë që po bën’”, tha Ahmed, baba i dy fëmijëve.
Ai tregoi se, në momentin kur ndërhyri, synimi i vetëm ishte të ndalte atentatorin dhe të shpëtonte jetë.
“Qëllimi im ishte t’ia merrja armën dhe ta ndaloja të vriste njerëz, të ndaloja vrasjen e të pafajshmëve”, u shpreh ai.
Sulmi ndodhi të dielën, më 14 dhjetor, gjatë një eventi të Hanukës në Bondi Beach dhe është cilësuar nga policia si akt terrorist i drejtuar kundër komunitetit hebraik. Pesëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 40 të tjerë u plagosën, duke e bërë këtë ngjarje masakrën më vdekjeprurëse në Australi që nga viti 1996.
Njëri prej autorëve, Sajid Akram, 50 vjeç, u vra nga policia, ndërsa djali i tij, Naveed Akram, u arrestua dhe është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për kryerje të një sulmi terrorist.
Ahmed al Ahmed u qëllua disa herë nga sulmuesi tjetër dhe iu nënshtrua të paktën tre ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai përshkroi gjendjen e tij emocionale përpara ndërhyrjes.
“Ndjeja një forcë në trup dhe në mendje. Nuk doja të shihja njerëz të vdekur para meje, gjak, të dëgjoja të shtëna apo britma për ndihmë. Ishte shpirti im që më shtyu ta bëja”.
Pas sulmit, komuniteti australian mblodhi 2.5 milionë dollarë australianë për Ahmedin, të cilat iu dorëzuan ndërsa ai ndodhej në spital. Kryeministri Anthony Albanese e vizitoi personalisht, duke e cilësuar si “më të mirin e këtij vendi”, ndërsa kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, e quajti një “hero të jetës reale”.
Prindërit e tij thanë për BBC Arabic se djali i tyre u udhëhoq nga “ndjenja, ndërgjegjja dhe humanizmi”.










