Carlo Ancelotti kujton me emocion Paolo Maldinin, legjendën e Milanit dhe liderin që dha shpirtin e tij në çdo fitore e stërvitje. Përmes fjalëve të tij, zbulohet madhështia e karakterit dhe influenca e jashtëzakonshme e Maldinit mbi skuadrën dhe kundërshtarët:
“Sa herë fitonim, përqafonim njëri-tjetrin. Ndonjëherë shkoja unë tek ai, ndonjëherë ai vinte tek unë. Diçka e bukur te Paolo ishte se gjithmonë thoshte faleminderit. Pas çdo suksesi, si lider i vërtetë, kur kthehej në dhomën e zhveshjes, kishte dy rituale.
I pari ishte të hiqte shiritin dhe ta vendoste mbi dollapin e tij. I dyti ishte t’i falenderonte të gjithë, duke iu shtrënguar dorën. Nuk kam parë asnjë të tillë, me kaq karizëm. Në ditën e ndeshjes së tij të fundit në Firence, në momentin e largimit më përqafoi për herë të fundit. Në atë moment kuptova se Milani im kishte ikur. Kjo është përbërja e burrave të mëdhenj.
Paolo ishte lideri i asaj skuadre. Nëse një lojtar bënte një gabim, ai e përballonte me një shikim. E turpshmja ishte që edhe lojtarët e ekipeve të tjera, përballë Paolo-s trembeshin. Nuk mbaj mend askënd që t’i kishte thënë diçka; ai nuk kishte nevojë të fliste… Ishin kampionë si Seedorf, Nesta dhe Sheva që shkrinin si dëbora para shikimit të kapitenit.
Nëse dikush vonohej në stërvitje, dinte që përpara meje duhej të takohej me Paolo-n. Kishte të rinj që dorëzoheshin menjëherë, ndërsa ai stërvitej më shumë se të gjithë, edhe në moshën 39-vjeçare. Një ditë e pyeta: ‘Paolo, si e bën?’ Ai m’u përgjigj: ‘E bëj për t’iu treguar të gjithë atyre që vijnë pas se nuk duhet ta ulin vigjilencën, edhe 40 vjeç. Unë gjithmonë udhëheq grupin sepse jam kapiten dhe duhet të jem i pari që jap shembullin’.
Ai Milan fitonte sepse kishte lojtarë të mëdhenj, por mbi të gjitha kishte një shpirt. Ky shpirt quhej Paolo Maldini”.
The post “Paolo Maldini, lideri që udhëhoqi Milanin me sy dhe shpirt”; rrëfimi i ndjerë i Ancelottit appeared first on Telesport.










