Hamza: PDK ka pritur rezultat më të mirë- pozita i ka përgjegjësitë e veta, s’jam prej atyre që ik

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke vlerësuar se ndonëse partia ka pritur një rezultat më të mirë, ka arritur ta ruajë votën dhe bazën elektorale.

Hamza theksoi se përgjegjësitë kryesore për situatën politike i takojnë pozitës, ndërsa siguroi se ai nuk do t’i shmanget përgjegjësive brenda partisë.

“PDK ka pritur rezultat më të mirë, por PDK ka arritur ta ruajë votën, elektoratin. Pozita i ka përgjegjësitë e veta. Unë nuk jam prej atyre që iku,” deklaroi Hamza.

Ai njoftoi se në ditët në vijim do të zhvillohen takime me strukturat e partisë, ku do të analizohen rezultatet zgjedhore dhe do të merren vendime për hapat e ardhshëm politikë.

“Këto ditë do të kemi takime me struktura. Vendimet i marr në kohë, të analizuara, të peshuara mirë dhe sigurisht nuk vonohem në vendimmarrje,” shtoi kryetari i PDK-së.