Rama uron Kurtin për fitoren në zgjedhje

“Mandati të kthehet në sukses për Kosovën dhe marrëdhëniet mes dy shteteve”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar homologun e tij, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, duke e cilësuar atë si domethënëse dhe të konfirmuar nga vullneti i qytetarëve.

Në një postim në platformën X, Rama shprehet se uron që mandati i ri i Kurtit dhe i partisë së tij të shndërrohet në sukses dhe mbarësi për Kosovën, si edhe në forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin dhe për partinë e tij të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona”, shkruan Rama.

Postimi shoqërohet edhe me urimin “Gëzuar”, së bashku me simbolet e flamujve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar rezultatet e 99.53 për qind të vendvotimeve të numëruara për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të së dieles.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 429 mijë e 979 vota, ose 49.30 për qind të totalit, sipas rezultatit aktual, duke kapërcyer suksesin e arritur në zgjedhjet e vitit 2021.

Partia Demokratike e Kosovës ka grumbulluar 183 mijë e 640 vota apo 21.00 për qind, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës 118 mijë  e 676 vota vota apo 13.59 për qind.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025 ka qenë 45 për qind, apo pak mbi 900 mijë qyetetarë që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese të votës.