Pak çaste para fillimit të ndeshjes me Hellas Verona, Massimiliano Allegri foli për Dazn mbi të ardhmen e Mike Maignan: “Ai është i rëndësishëm për ekipin, ashtu si lojtarët me një përvojë të caktuar. Për ta mbajtur Milanin në nivele të larta, klubi po punon mbi të ardhmen. Me siguri do të ketë rinovime kontratash për disa lojtarë të rëndësishëm dhe mendoj se kjo është normale. Klubi po punon për këtë”.
Milani e mbylli vitin 2025 me fitore në Serie A, duke mposhtur 3-0 Veronën në “San Siro”, ndeshje e vlefshme për javën e 17-të. Në përfundim të sfidës, Max Allegri pranoi se nuk ishte i kënaqur me performancën e skuadrës së tij në pjesën e parë, por admiroi përmirësimin e saj në pjesën e dytë. Ai ishte veçanërisht i kënaqur për Nkunku, i cili shënoi dy golat e parë me kuqezinjtë:
“Ne ishim paksa konservatorë në pjesën e parë, bëmë më mirë në të dytën, por duhet ta kishim menaxhuar topin më mirë, pasi ishim 3-0. Nkunku është një djalë i mirë, që dëshiron të bëjë mirë. Ai e theu ritmin sot dhe pastaj, pas penalltisë, shënoi një gol që është në ADN-në e tij. Mendoj se mund të vazhdojë të luajë dhe përmirësohet si të gjithë të tjerët”.
Ndër të tjera, trajneri i Milanit foli edhe për titullin, ku sipas tij ekipit fitues i duhen 82-84 pikë: “Për momentin, duket se titulli do të fitohet me diku midis 82 dhe 84 pikëve. Mund të bëhen 86 pikë nëse një ekip ka ecuri shumë të mirë”.
The post Allegri: E ardhmja e Maignan? Klubi po punon për rinovimet e kontratave appeared first on Telesport.










