Policia e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar ka njoftuar se në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor i 28 dhjetorit kaloi i qetë dhe pa incidente serioze.
Ky organ i sigurisë, ndër të tjera tha se zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar apo cenuar procesin zgjedhor, transmeton Klankosova.tv.
“Një ndër qëllimet e planit operativ policor, ka qenë garantimi i një ambienti të qetë për votime, inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale në koordinim me organet e drejtësisë dhe dërgimi para organeve të drejtësisë të të gjithë atyre që bijën ndesh me ligjin, konkretisht cenojnë procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndër të tjera bëhet e ditur se gjatë ditës janë iniciuar pesë raste penale si “cenimi i fshehtësisë së votimit”, “cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, “pengimi i procesit të votimit” dhe “asgjësimi i dokumenteve të votimit”, ku personat e përfshirë në këto raste janë liruar në procedurë të rregull.
“Janë trajtuar 30 informata dhe në 5 raste janë evidentuar me ‘shënim zyrtar’. Po ashtu në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë trajtuar dhe iniciuar edhe raste të tjera, raste këto të cilat nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor. Aktivitetet policore për sot, janë realizuar me sukses sipas planifikimeve operative, falë edhe bashkëpunimit ndërinstitucional si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndaj të cilëve Policia e Kosovës është falënderuese”, përfundon policia, transmeton Klankosova.tv.









