Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se sipas të dhënave nga vëzhguesit në terren, dalja deri në orën 17:00 është 38.9 për qind.
“Sa për krahasim, dalja në votime në intervalin e njëjtë kohor në zgjedhjet e 9 shkurtit, ishte e njëjtë rreth 39%”, tha Eugen Cakolli nga DnV.
Procesi, sipas DnV-së, është i qetë dhe vështirësitë më të mëdha kanë të bëjnë me gjetjen e vendvotimeve nga votuesit.
“Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 70% të vendvotimeve, madje në 15% të vendvotimeve kjo dukuri ka qenë e shprehur deri në 30 raste”.
Sa i përket votimit me asistencë, Cakolli tha se komisionarët në 75 për qind të vendvotimeve kanë kërkuar dokumente mjekësore nga votuesit në mënyrë që të lejohen të votojnë me ndihmën e dikujt tjetër.
Sa i përket fotografimit të votës, deri në orën 17:00, sipas DnV-së janë raportuar 21 raste.
Ndërkaq, si incidente më serioze nga DnV-ja janë cilësuar problemet me furnizim me energji elektrike dhe probleme me fletëvotime.
“Dy orë para përmbylljes së procesit të votimit, po raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit. Po ashtu në një vendvotim është raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen”, thanë nga DnV-ja.










