Rasti i kryetares së Ranillugut, Hashani nga Policia jep detaje: Dyshohet se bëri presion dhe kërcënoi votuesit e papërcaktuar

Ismet Hashani nga Policia e Kosovë në një lidhje direkte në T7, ka folur për rastin e kryetares së komunës së Ranillugut, Tanja Antic, e cila është shoqëruar në polici nën dyshimet se e njëjta ka ushtruar presion tek votuesit.

Hashani ka thënë se, Antic dyshohet se ka ushtruar ndikim tek votuesit e papërcaktuar ose subjekteve të tjera, dhe se ajo, po ashtu dyshohet se ka kërcënuar votuesit për ndërprerje të benefiteve që ata marrin nga Serbia, në rast nëse ata s’votojnë sipas udhëzimeve të saja.

‘’Policia  e Kosovës ka pranuar informacion se dyshohet se ka ushtruar ndikim tek votuesit e papërcaktuar ose të subjekteve të tjera. Të njëjtit dyshohen se janë kanosur për ndërprerje të benefiteve të ndryshme të cilat këta qytetarë i përfitojnë nga shteti i Serbisë në rast të mosvotimit sipas udhëzimeve të saj. E dyshuara është shoqëruar në ambiente të hetimeve rajonale dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës ku prezent ka qenë edhe Prokurori i Shtetit.  Pas intervistimit prokurori i shtetit ka dhënë urdhër që rasti të shkojë në procedurë të rregullt’’, ka thënë ai.

Hashani ka folur për procesin zgjedhor edhe në pjesën tjetër të rajonit të Gjilanit, duke thënë se ‘’në bazë te të dhënave në të gjitha pikat raportimet janë pozitive. Mund të themi se informatat i kemi se gjithçka është në rregull’’.