Në korrik, Trump nënshkroi një urdhër sekret që i kërkonte Pentagonit të ndërmerrte operacione kundër grupeve të trafikut të drogës në Amerikën Latine.
Detaje të reja nga diskutimet brenda administratës Trump tregojnë se si interesa të ndërthurura politike, ekonomike dhe të sigurisë e shtynë Shtetet e Bashkuara drejt një përplasjeje gjithnjë e më të militarizuar me Venezuelën, me objektiv rrëzimin ose dobësimin e regjimit të presidentit Nicolás Maduro.
Sipas një hetimi të gjerë të New York Times, rolin kyç në këtë qasje e kanë pasur Sekretari i Shtetit Marco Rubio, këshilltari i presidentit, Stephen Miller dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, të cilët, secili nga perspektiva e vet, ndërtuan një strategji presioni që përfshinte sanksione ekonomike, operacione ushtarake dhe politika të ashpra emigracioni.
Një nga pikat më të ndjeshme ishte çështja e naftës. Chevron, e vetmja kompani amerikane me prani të rëndësishme në sektorin energjetik venezuelian, u shndërrua në një kartë negociuese mes Washingtonit, Karakasit dhe ligjvënësve kubano-amerikanë në SHBA.
Ndërsa këta të fundit kërkonin mbylljen e aktivitetit të Chevron-it për të rritur presionin ndaj Maduros, Trump hezitonte, i shqetësuar se hapësira do të mbushej nga kompanitë kineze.
Megjithatë, tensionet mbi licencën e Chevron-it u shndërruan në katalizator për një qasje më agresive.
Në korrik, Trump nënshkroi një urdhër sekret që i kërkonte Pentagonit të ndërmerrte operacione kundër grupeve të trafikut të drogës në Amerikën Latine, duke përfshirë sulme detare. Në praktikë, këto operacione u përqendruan kryesisht në brigjet e Venezuelës.
Droga dhe narrativa e “narko-shtetit”
Marco Rubio, i njohur prej vitesh për qëndrimin e ashpër ndaj regjimeve të majta në Venezuelë dhe Kubë, e shtyu narrativën se Maduro nuk ishte thjesht një lider autoritar, por një “bos droge”.
Administrata Trump u mbështet edhe te një aktakuzë e vitit 2020, sipas së cilës Maduro akuzohej për bashkëpunim me trafikantë kokaine në Kolumbi.
Në të njëjtën kohë, disa grupe kriminale latino-amerikane, përfshirë bandën venezueliane Tren de Aragua, u shpallën organizata terroriste, duke hapur rrugën për përdorimin e masave të jashtëzakonshme ligjore dhe ushtarake.
Emigracioni dhe ligjet e kohës së luftës
Stephen Miller, arkitekti i politikave më të ashpra të emigracionit të Trump, e pa përshkallëzimin e konfliktit me Venezuelën edhe si një mjet për të justifikuar deportime masive.
Ai shtyu përdorimin e Alien Enemies Act, një ligj i shekullit XVIII, për të përshpejtuar dëbimin e qindra mijëra venezuelianëve nga SHBA, duke argumentuar se vendi ishte në një formë “lufte” me regjimin e Maduros.
Edhe pse gjykatat amerikane vendosën kufizime ndaj këtij interpretimi, ideja mbeti pjesë e strategjisë së përgjithshme të presionit.
Nga presioni diplomatik te forca ushtarake
Operacionet detare të miratuara nga Trump u shoqëruan me kritika të forta nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, të cilët kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e sulmeve dhe mungesën e transparencës.
Sipas raportimit, procesi i vendimmarrjes u mbajt në një rreth shumë të ngushtë, duke anashkaluar struktura tradicionale si Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Administrata Trump e paraqet këtë qasje si pjesë të luftës kundër drogës dhe emigracionit të paligjshëm. Kritikët, ndërkohë, e cilësojnë si “diplomaci të anijeve luftarake” dhe një përpjekje për të përdorur forcën ushtarake për qëllime politike dhe ekonomike.
Ndërsa presioni ndaj Venezuelës vazhdon të rritet, përplasja mes Washingtonit dhe Karakasit mbetet një nga frontet më të rrezikshme të politikës së jashtme amerikane në Amerikën Latine, me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin rajonal, tregjet energjetike dhe krizën e emigracionit.










