DnV: Me vonesë janë hapur 3% e vendvotimeve, në dy sosh është raportuar për mungesë të rrymës

Demokracia në Veprim ka dalë me komunikatën e parë për media lidhur me zgjedhjet e parakohshme që po zhvillohen sot në Kosovë.

Sipas DnV’së, votimi ka nisur me disa parregullsi të vogla.

“Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,614 vendvotime (2,557 të rregullta dhe 57 me kusht). Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendovotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve.”

Komunikata e plotë:

DnV: Nis procesi i votimit, me disa parregullësi të vogla

Zgjedhjet parlamentare janë një moment kyç për demokracinë, pasi përmes tyre qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur përfaqësuesit dhe për të ndikuar drejtimin politik të vendit.

Kredibiliteti i këtij procesi varet nga transparenca, respektimi i ligjit dhe nga besimi se vota e çdo qytetari është e lirë dhe e barabartë. Në këtë kontekst, vëzhgimi i pavarur i zgjedhjeve luan një rol të rëndësishëm në forcimin e besimit publik dhe në rritjen e llogaridhënies së të gjithë akterëve të përfshirë.

Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme. Vëzhguesit tanë gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i numërimit të votave për subjektet politike. Vëmendje do t’i kushtohet respektimit të procedurave të votimit dhe numërimit, garantimit të fshetësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët me të drejtë vote.

Si mision vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, ne veprojmë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur, në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Sot gjatë ditës, në intervale të rregullta do t’i përcjellim informatat nga terreni përmes konferencave për media dhe përmes rrjeteve tona sociale.

Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1,999,204 votues, prej të cilëve 7,192 janë votues të rinj të cilët pas zgjedhjet e fundit lokale të 12 tetorit 2025 i kanë mbushur 18 vjet.

Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e proceseve demokratike duke votuar lirshëm dhe duke respektuar rregullat e zgjedhjeve.

***

Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në misionet diplomatike të Kosovës në 18 shtete (16 Ambasada dhe 13 Konsullata), e ku votuesit që jetojnë jashtë kishin mundësinë që të votojnë edhe fizikisht, DnV beson që një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë.

I.Hapja e vendvotimeve

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,614 vendvotime (2,557 të rregullta dhe 57 me kusht). Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendovotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve.

Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja. Vetëm në 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vendosja jo e duhur e kamerave ka qenë më e shprehur në komunat me shumicë serbe.

II.Qasja në Qendrat e Votimit dhe ambienti përreth

E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim.  Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 16% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate ose pjerrina që mundësojnë qasje më të lehtë në objekte ku po zhvillohet votimi.

Edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në afërsi të 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, konform përcaktimeve ligjore në 85% të Qendrave të Votimit.

Informimi i votuesve për të votuar saktë

Në këto zgjedhje, votuesit kanë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë, gjë që u bë me mundur pas ndryshimeve ligjore për votën preferenciale në vitin 2023. Institucionet për administrimin e zgjedhjeve janë të obliguara që të informojnë votuesit për këto rregulla përmes vendsosjes së posterëve informues në hyrje të secilës Qendër të Votimit. Megjithatë vëzhguesit tanë kanë raportuar se këto instruksione nuk janë hasur në 8% të Qendrave të Votimit. Poashtu në 18% të QV nuk ka tavolina ndihmëse, që si problematikë është më e shprehur në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës.

IV.Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve

Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 75% të vendovotimeve ka prani të komisionereve gra, por që numri kufizohet në 2 anëtare gra.

Incidentet gjatë hapjes të vendvotimeve

Nuk është raportuar për ndonjë incident serioz, gjithsesi në dy vendvotimeve është raportuar për mungesë të energjisë elektrike që ka vonuar procesin e fillimit të votimit.