Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot konferencën e parë për media në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke njoftuar se procesi zgjedhor ka nisur me kohë dhe pa pengesa në të gjitha Qendrat e Votimit në vend.
Sipas Valmir Elezit, zëdhënësit të KQZ-së, në orët e hershme të mëngjesit është bërë shpërndarja e plotë e materialit zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, në të gjitha Qendrat e Votimit.
“Bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, procesi i votimit ka filluar në të gjitha qendrat në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”.
Këtë vit, votimi po zhvillohet në gjithsej 948 Qendra të Votimit, me 2,614 vendvotime. Prej tyre, 910 qendra me 2,557 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një për secilën komunë, me gjithsej 57 vendvotime, janë në dispozicion për votimin me kusht.
Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që mund të votojnë sot është 1,999,204, të shpërndarë në 38 komunat e Kosovës.
KQZ u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Po ashtu, është rikujtuar se përmes platformës elektronike të KQZ-së, secili votues mund të verifikojë lehtësisht Qendrën e Votimit ku është i caktuar të votojë.










