Hamza: Pensioni minimal 250€, 0% TVSH për ushqim dhe rrymë

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar me fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të fushatës.

“Gjatë kësaj fushate kam takuar mijëra qytetarë. Kam pasur biseda të këndshme, por edhe të rënda. Megjithatë, një takim nuk do ta harroj kurrë. Një pensionist më tha: “Unë nuk kërkoj luks. Dua vetëm të mos detyrohem që të zgjedh mes ilaçeve dhe ushqimit”. Ky nuk është rasti i vetëm që e kam dëgjuar në këto takime. Sepse, kjo është përditshmëria e shumë familjeve në Kosovë. Frikë nga e tashmja dhe nga e ardhmja. Unë e di çfarë do të thotë ta presësh fundin e muajit. E di çfarë do të thotë t’i numërosh shpenzimet. Të mendosh për faturat, për ushqimin, për shkollën e fëmijëve. Dhe pikërisht për këtë arsye unë dhe Partia Demokratike e Kosovës po e kërkojmë besimin tuaj, votën tuaj. Sepse, ju kuptojmë dhe kemi përgjigje për ju, kemi zgjidhje për ju. Ne nuk premtojmë mrekulli. Por premtojmë vendime të drejta dhe të ndjeshme në xhepin e qytetarit”, ka thënë Hamza.