800 miliardë dollarë duhen për rindërtimin e Ukrainës, sipas Zelenskyt

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar rëndësinë e një vizioni të përbashkët me Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e vendit të tij, në prag të bisedimeve për paqe me presidentin amerikan Donald Trump në Florida.

Sipas një postimi të fundit në Telegram, Zelensky njofton se Ukraina po punon me SHBA-të mbi një “udhërrëfyes” për rindërtimin deri në vitin 2040, që synon rikthimin e refugjatëve, rritjen ekonomike përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ai vlerëson se shuma e nevojshme për rindërtimin është rreth 700–800 miliardë dollarë dhe nënvizon krijimin e disa fondeve të përbashkëta, përfshirë një fond investimesh për rindërtimin, që do të angazhojë burime nga të dy vendet.

“Është e rëndësishme të kemi një vizion të përbashkët me SHBA-të”, thekson Zelensky, duke vënë theksin te koordinimi strategjik dhe mbështetja financiare e drejtpërdrejtë.

Përveç çështjeve ekonomike, Zelensky ka rikujtuar nevojën për garanci sigurie, të cilat i cilëson si prioritetin kryesor para bisedimeve. Ai shpjegon se Rusia ka treguar reagimet e saj ndaj përpjekjeve për negociata paqeje duke sulmuar Ukrainën, gjë që e bën të domosdoshme që çdo marrëveshje të sigurojë mbrojtje të fortë për vendin.

Presidenti ukrainas shton se gjatë bisedimeve do të ketë “linja të kuqe” për Ukrainën, por gjithashtu janë në tryezë edhe propozime kompromisi për çështje të pazgjidhura.

Në një tjetër apel të drejtuar Evropës, Zelensky kërkon mbështetje të shtuar ushtarake, duke theksuar nevojën për më shumë raketa dhe armë të tjera për t’u përballur me intensifikimin e sulmeve ruse.

Mesazhi i tij dërgon një sinjal të qartë se Ukraina synon të bashkojë mbështetjen financiare, politike dhe ushtarake të aleatëve ndërkombëtarë në një strategji të integruar për rindërtimin dhe mbrojtjen e vendit.