KQZ: Deri në orën 13:00 votuan mbi 7 mijë votues në 24 përfaqësi diplomatike

Nga ora 07:00 deri në 13:00 kanë votuar 7 mijë e 79 qytetarë të Kosovës në 24 përfaqësi diplomatike, nga gjithsej 19 mijë e 187 votues të regjistruar, që përbën 36.89 për qind të pjesëmarrjes.

Këtë e bëri të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë një konference për media, duke theksuar se procesi i votimit po zhvillohet pa incidente, njofton Klankosova.tv.

“Procesi i votimit është duke u zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në këto përfaqësi diplomatike, procesi i votimit po zhvillohet pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00, nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89 për qind, apo 7 mijë e 79 votues”, tha Elezi.