Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë përfunduar gërmimet në 32 lokacione ku dyshohej për persona të zhdukur gjatë luftës së fundit. Nga këto, në 16 lokacione janë gjetur mbetje mortore, në 15 raste nuk është gjetur asgjë, ndërsa në një rast është vlerësuar se lokacioni nuk ka qenë në interes, u bë e ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Punës të shtunën.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, deklaroi se pavarësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Serbia ka tërhequr dakordimin e saj, duke kërkuar ndryshimin e termave të referencës.![]()
“Vazhdojmë të përballemi me sfida serioze për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Sfida kryesore mbetet mosgatishmëria e Serbisë për bashkëpunim, për dhënien e informacioneve kredibile dhe hapjen e arkivave të klasifikuara, të cilat vazhdimisht i kërkojmë në Bruksel dhe në takime bilaterale apo multilaterale”, ka thënë Hoti.













