Paralajmërimet së ditën e zgjedhjeve mund të këtë ndërprerje të rrymës nëpër qendra të votimit nuk po i shqetëson qeveritarët. Madje, zyrtarëve të lartë të VV-ja po i pengon raporti që e dëshmon një gjë të tillë.
Ata pretendojnë se do të ketë rrymë ditën e zgjedhjeve, ndërsa nuk e përmendin raportin e takimit të zyrtareve të KQZ-së me përfaqësuesin e kompanisë KEDS, ku këta të fundit nuk kanë dhënë garanci se mund të furnizojë pandërprerë me energji elektrike të gjitha qendrat e votimit dhe të numërimit gjatë ditës së zgjedhjeve.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka kritikua ashpër anëtarin e PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, i cili i ka shprehur shqetësimet e tij për këtë çështje.
“Në takim me KQZ, KEDS është shprehur qartë se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike gjatë zgjedhjeve. Prandaj, kjo lloj deklarate mund të jetë veç sinjal se dikush po përgatitet të ndërhyjë në procesin zgjedhor duke sabotuar furnizimin në qendra të votimit. Tentimet për vjedhje vote nuk do të kalojnë!”, ka shkruar Rizvanolli në profilin e saj në “Facebook”.
Më pas, edhe anëtari i VV-së në KQZ, Albna Krasniqi, ka hedhur poshtë pretendimet e raportit, të cilin e ka pa edhe ai.
“Faleminderit ministre. Lufta hibride opozitare nga frika e humbjes së thellë nuk kalon. Njoftimin e njëjtë me tuajin e kemi pranuar edhe nga Sekretariati i KQZsë. Përmes takimeve të shumta janë adresuar të gjitha çështjet dhe tashmë ka një plan të përbashkët operativ me dhjetëra ekipe që do të sigurojnë furnizim të rregullt në qendrat e votimit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Çka thotë raporti?
Gazeta Nacionale dje ka raportuar se KEDS e ka pranuar se nuk mund të garantojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike për ditën e zgjedhjeve.
Kjo është bërë e ditur në një takim që zyrtarët e kësaj kompanie kanë pasur me ushtruesin e detyrës se Drejtorit të Sekretariati të KQZ-së, Besnik Buzhala.
Në raportin e këtij takimi, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, KEDS nuk ka dhënë garanci se mund të furnizojë pandërprerë me energji elektrike të gjitha qendrat e votimit dhe të numërimit gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike, kohën e pikut të konsumit, kushtet e pafavorshme atmosferike, si dhe mbingarkesat e shkaktuara nga mungesa e kapaciteteve në nivelin e transmisionit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes – KEDS, pavarësisht vlerësimit të rrezikut sipas niveleve, nuk mund të garantojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjitha qendrat e votimit dhe të numërimit. Këta faktorë mund të shkaktojnë potencialisht ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditës së votimit, ndërprerje të cilat janë jashtë vullnetit të operatorit”, është thënë në raportin e takimit, i cili është përmendur edhe sot në mbledhjen e KQZ-së.
Ndër të tjera, në raport tregohet se cilat qendra janë më të rrezikuara nga ndërprerja me energji elektrike.
“Shkaku kryesor që ndikon në furnizimin me energji elektrike, dhe në lidhje me këto vlerësime, rezulton si në vijim: • Në rrezik të lartë për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 666 qendra të votimit; • Në rrezik të mesëm për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 204 qendra të votimit; • Në rrezik të ulët për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 79 qendra të votimit; • Në rrezik të lartë për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 19 qendra komunale të numërimit; • Në rrezik të mesëm për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 12 qendra komunale të numërimit; • Në rrezik të ulët për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 8 qendra komunale të numërimit”, është thënë në raport.













