Turqi, zgjerohet skandali i basteve. 29 arrestime të tjera, në pranga ish-zv.presidenti i Galatasaray

Nuk ka qetësi për Super Ligën dhe kategoritë e ulëta të futbollit turk. Prokuroria e Stambollit ka urdhëruar një tjetër operacion që çoi në arrestimin e 29 personave, duke zgjeruar hetimin për trukimin e ndeshjeve, i cili po trondit themelet e sistemit futbollistik vendas.

Mes të arrestuarve janë 14 futbollistë aktivë. Akuzat janë shumë të rënda, sipas hetuesve, lojtarët kanë manipuluar rezultatet duke vënë baste për fitoren e skuadrave kundërshtare. Provat kryesore lidhen me “transaksione financiare të pazakonta” të zbuluara në llogaritë e tyre personale.

Skandali ka prekur edhe nivelet më të larta: në pranga ka përfunduar Erden Timur, ish-zëvendëspresident i Galatasaray. Klubi ende nuk ka reaguar zyrtarisht. Bilanci i përgjithshëm flet për një krizë sistemike: rreth 1.500 persona të përfshirë, me masa pezullimi ndaj afro 1.000 lojtarëve dhe 150 arbitrave.

Si të mos mjaftonte kaq, është arrestuar edhe Sadettin Saran, president i Fenerbahçes, i zgjedhur në shtator. Në këtë rast futbolli nuk lidhet drejtpërdrejt; ai hetohet në një çështje antidrogë në botën e spektaklit. Saran mohon akuzat, ndërsa klubi ka shprehur “besim të plotë” ndaj tij.

 

The post Turqi, zgjerohet skandali i basteve. 29 arrestime të tjera, në pranga ish-zv.presidenti i Galatasaray appeared first on Telesport.