Kërkohet reagim i BE-së ndaj Serbisë që hapi vende pune në institucionet paralele në Kosovë

Njohës të sigurisë dhe të çështjeve politike i vlerësojnë shqetësuese veprimet e Beogradit për hapjen e konkurseve në institucionet paralele shëndetësore serbe në Kosovë, duke theksuar se ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë zgjedhor te qytetarët serbë dhe krijojnë një presion juridik dhe kushtetues ndaj Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ata kanë theksuar se Bashkimi Evropian duhet të japë një reagim të menjëhershëm ndaj këtyre veprimeve, për të parandaluar interferimin e shtetit serb në proceset zgjedhore dhe brenda sistemit kushtetues të Kosovës.

Politologu Albinot Maloku në një deklaratë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online ka theksuar se konkursi ka një konotacion të fortë zgjedhor për mbështetjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa eksperti i sigurisë Drizan Shala e ka cilësuar këtë si një mesazh të qartë të Beogradit për interferim brenda sistemit kushtetues të Kosovës.

“Ky konkurs i shpallur nga ana e organeve zyrtare në Beograd për qytetarët serb të Kosovës dhe ku konotacioni është ndjeshmëri për një subjekt politik që vie drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar ka konotacion zgjedhor. Por problemi është që ka edhe konotacion të agresionit juridik në Kosovë edhe kushtetues duke provuar që përmes hapjes së një konkursi në Serbi të ketë ndikim, efekt te qytetarët serb në Kosovë dhe për këtë unë konsideroj që Bashkimi Evropian duhet të kishte një përgjigje më përpara se gjithsecili në këto faktorë të cilët janë të përfshirë në këtë situatë”, tha ai.

Ai ka shtuar se veprimet e Beogradit janë pjesë e fushatës elektorale për të mbajtur fuqinë e Listës Serbe dhe kanë efekt të drejtpërdrejt kushtetues, ekonomik dhe juridik ndaj Kosovës.

“Konsideroj që e bërë për fushatë elektorale për t’i mbajtur fuqinë Listës Serbe, Beogradi zyrtar ka edhe efektin tjetër që të agresojë kushtetuese, ekonomik dhe juridik ndaj Kosovës. Dhe përgjigjen do të duhet ta kishte për këtë situatë para së gjithash BE-ja”, tha ai.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka theksuar se aktiviteti politik i zhvilluar nga shteti serb korrespondon me qëndrimin zyrtar të Serbisë sa i përket interferencës në pjesë të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe kushtetueshmërisë.

Ai ka sqaruar se hapja e konkurseve për strukturat paralele në sektorin e shëndetësisë është një sinjal për qytetarët e komunitetit serb që të mbështesin Listën Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Aktiviteti politik i zhvilluar nga ana e shtetit të Serbisë pikërisht korrespondon me qëndrimin zyrtar të Serbisë sa i përket çështjeve të interferimeve në pjesët e ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe kushtetueshmerisë, sepse hapja e konkurseve të caktuara për strukturat paralele në sektorin e shëndetësisë është një sinjal për qytetarët e komunitetit serb që duhet ta mbështesin Listën Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo sepse të gjithë ata aplikantë do të detyrohen të dëshmojnë dhe të argumentojnë se kanë mbështetur Listën Serbe në këto zgjedhje nacionale për ta rikthyer bazën e tyre të cilën e kanë proklamuar edhe përfaqësuesit e lartë të listës serbe dhe deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Shala tha se veprimet e Beogradit janë një mesazh dhe një sinjal i qartë për mbështetjen e Listës Serbe dhe interferimin e saj brenda sistemit kushtetues të Kosovës.

“Kjo është një mesazh dhe një sinjal i qartë që Beogradi përmes veprimeve të tilla e suporton Listën Serbe që të ketë interferimin e saj brenda sistemit kushtetues të Kosovës”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur të mërkurën konkurs për 300 vende pune në institucione paralele serbe në Kosovë. Në njoftim Ministria tha se shpalli konkurs për “300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë dhe M.”.

Ministria po ashtu ka bërë të ditur se është në proces edhe një konkurs për “50 vende pune në institucionet shëndetësore në Kosovë dhe M.”, që u hap më 22 dhjetor të këtij viti.

“Në këtë mënyrë, do të hapen 350 vende të reja pune në sistemin shëndetësor serb në Kosovë dhe M., që do të thotë jetë për qëndrimin dhe mbijetesën e popullit tonë në ato pjesë. Punësimet e reja do të përmirësojnë më tej nivelin e kujdesit shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë dhe M., gjë që tregon kujdesin e qartë të shtetit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq për popullin e vet në Kosovë dhe M.”, thuhet në njoftimin që është publikuar nga Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Po ashtu u tha se në gjysmën e dytë të janarit, 700 veta, personel mjekësor dhe jomjekësor, do të punësohen pas një konkursi që u zhvillua më parë.

“Duke njohur nevojën për punësim shtesë dhe modernizim të kujdesit shëndetësor në Kosovë e M., si dhe forcimin e institucioneve serbe të kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe M., gjatë tri vjetëve të fundit, më shumë se 1.500 persona janë punësuar tashmë në kujdesin shëndetësor në Kosovë e M.”, thuhet në njoftim.

Edhe në prag të zgjedhjeve lokale në tetor, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq paralajmëroi punësimin e 400 serbëve në institucionet paralele të shëndetësisë në Kosovë./Ekonomia Online