KEDS nuk garanton furnizim të pandërprerë me energji për të gjitha qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve

KEDS ka pranuar se nuk mund të garantojë furnizim me energji elektrike për ditën e zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit. Kjo i është kumtuar ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Sekretariati të KQZ-së, Besnik Buzhala.

Në raportin e takimit që kanë mbajtur anëtarët e KEDS-it me përfaqësuesin e KQZ-së, vërtetohet kjo.

“Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike, kohën e pikut të konsumit, kushtet e pafavorshme atmosferike, si dhe mbingarkesat e shkaktuara nga mungesa e kapaciteteve në nivelin e transmisionit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes – KEDS, pavarësisht vlerësimit të rrezikut sipas niveleve, nuk mund të garantojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjitha qendrat e votimit dhe të numërimit. Këta faktorë mund të shkaktojnë potencialisht ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditës së votimit, ndërprerje të cilat janë jashtë vullnetit të operatorit”, është thënë në raportin që e ka siguruar Nacionale.

Ndër të tjera, në raport tregohet se cilat qendra janë më të rrezikuara nga ndërprerja me energji elektrike dhe u kërkohet që të pajisen me burim alternativ të energjisë elektrike.

“Shkaku kryesor që ndikon në furnizimin me energji elektrike, dhe në lidhje me këto vlerësime, rezulton si në vijim: • Në rrezik të lartë për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 666 qendra të votimit; • Në rrezik të mesëm për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 204 qendra të votimit; • Në rrezik të ulët për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 79 qendra të votimit; • Në rrezik të lartë për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 19 qendra komunale të numërimit; • Në rrezik të mesëm për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 12 qendra komunale të numërimit; • Në rrezik të ulët për ndërprerje të energjisë elektrike, përfshihen 8 qendra komunale të numërimit”, është thënë në raport.

“Në lidhje me pikën II, sipas të dhënave nga Kryesuesi e KKZ, rezulton se në 497 qendra votimit ka gjeneratorë, të cilët jo të gjithë gjeneratorët mundësojnë ofrimin e ndriçimit brenda hapësirave. Ndërsa, në 491 qendra të votimit nuk ka fare gjeneratorë”, thuhet në raportimin e takimit.