Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, të dielën e 28 dhjetorit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme.
Ligji nr. 08/l-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Por, çfarë duhet të dinë qytetarët para se t’i drejtohen kutive të votimit?
Neni 110 i Ligjit bën të ditur se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe se secili subjekt politik i certifikuar paraqitet në votim me “listë të hapur”.
Votuesi pajiset me një fletëvotim të vetëm për zgjedhje dhe në të shënjon: votën për një subjekt politik dhe votën për një deri në dhjetë kandidatë nga lista e subjektit politik për të cilin ka votuar votuesi.
Por, çka ndodh nëse në fletëvotim shënohen më shumë se 10 kandidatë?
Pika 5, në nenin 110 në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme tregon qartë se nëse një fletëvotim shënohen më shumë se dhjetë kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota për subjektin politik.
Cilat dokumente mund t’i keni me vete për të votuar?
Shtetasi me të drejtë vote brenda vendit dhe në përfaqësi diplomatike, mund të votojë nëse ai ose ajo identifikohet saktësisht në Listën e Votuesve dhe ofron njërin prej dokumenteve të vlefshme të identifikimit, të lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftimin, pasaportën, lejen e vozitjes.














