Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit do të mbahet mend për një prani jashtëzakonisht të kufizuar të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Kjo tregon se propozimin i VV-së dhe vendimi i presidentes Vjosa Osmani që zgjedhjet të caktoheshin në fundvit nuk ka qenë i duhur.
Për shkak të festave të fundit, institucionet ndërkombëtare janë në pushimin e festave dhe nuk kanë treguar interesim për të dërguar vëzhguesit e tyre në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare, Bashkimi Evropian këtë herë ka akredituar vetëm 7 vëzhgues, ndryshe nga proceset e kaluara kur në Kosovë kanë vepruar misione të plota vëzhgimi me dhjetëra ekspertë dhe që në fund hartonin raportet që “legjitimonin” ndërkombëtarisht zgjedhjet në Kosovë.
Në mungesë të një misioni të strukturuar të BE-së, zgjedhjet po zhvillohen pa atë që tradicionalisht është konsideruar si garanci ndërkombëtare e rregullsisë së procesit.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ky proces zgjedhor nuk do të vëzhgohet në çdo vendvotim, ashtu siç jemi mësuar ta shohim nga rrjeti i organizatave jo-qeveritare vendore “Demokracia në Veprim”.
Janë akredituar vetëm një numër i vogël vëzhguesish nga organizata që tradicionalisht kanë ofruar vëzhgim nga çdo vendvotim, 322 nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe 7 të tjerë nga D4D.
Me këtë numër vëzhguesish, nga 2,600 vendvotime do të mund të mbulohen vetëm qindra prej tyre.
Me burime të kufizuara njerëzore, 12 OJQ-të e akredituara me 809 vëzhgues, nuk do të jenë në gjendje të mbulojnë të gjitha vendvotimet.
Ndonëse në shikim të parë duket se në këto zgjedhje një numër i madh vëzhguesish do të vëzhgojnë zgjedhjet e 28 dhjetorit, në fakt, detajet e statistikave tregojnë se vëzhguesit e pavarur janë në numër të vogël.
Vëzhgimi i zgjedhjeve ka mbetur në duart e partive politike, që përbëjnë numrin më të madh të vëzhguesve.
Nga 19,264 vëzhgues janë akredituar nga KQZ-ja 91.43% e tyre janë të partive politike dhe një pjesë e vogël e tyre janë vëzhgues të pavarur.
Statistikat e KQZ-së për vëzhguesit e këtyre zgjedhjeve, tregojnë se veç 121 vëzhgues ndërkombëtarë janë akredituar në këto zgjedhje.
Sipas të dhënave nga njoftimet e KQZ-së, te ky numër përfshihen 7 vëzhguesit e Misionit të Ekspertëve Zgjedhorë të Bashkimit Evropian, 13 vëzhguesit e NDI, 23 të tjerë nga Këshilli i Evropës dhe 70 nga Institut de Coopération et Développement.

As ambasadat e shteteve të huaja nuk do të dalin në terren, siç kanë bërë zakonisht me numër të madh të personelit.
Vetëm 3 ambasada me 13 vëzhgues janë akredituar, si ajo e Britanisë së Madhe, Italisë dhe Japonisë.













