Real Madridi, del në skenë Bruno Fernandes. Portugezi mund të merret për 60 milionë euro

Real Madridi hyn papritur në garë për Bruno Fernandes. Sipas “Fichajes”, madrilenët po e monitorojnë me shumë vëmendje situatën e kapitenit të Manchester United, duke vlerësuar konkretisht mundësinë për një goditje në mesfushë me portugezin.

Në muajt e fundit, Fernandes ishte lidhur kryesisht me klube nga Arabia Saudite dhe MLS, por tani vëmendja rikthehet fuqishëm tek Europa. Portugezi mund të largohet për rreth 60 milionë euro, një vlerësim i konsideruar plotësisht i përballueshëm për Realin. Sipas të njëjtit burim, klubet jashtë Premier League do të kishin mundësinë ta aktivizonin klauzolën e fiksuar pikërisht në këtë shifër, duke e bërë operacionin relativisht të drejtpërdrejtë.

Manchester United ndodhet në një fazë ristrukturimi nën drejtimin e Ruben Amorim, me nevojën për të ribalancuar pagat dhe organikën, çka hap pikëpyetje edhe për të ardhmen e kapitenit, i cili ndërkohë do të ndalet disa kohë për një problem muskulor. Real Madridi po vlerëson një përforcim me përvojë dhe personalitet në mesfushë, sidomos në funksion të Champions League. Në sfond mbetet i vëmendshëm edhe Bayern Munich.

The post Real Madridi, del në skenë Bruno Fernandes. Portugezi mund të merret për 60 milionë euro appeared first on Telesport.