Sllagjan Trajkoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Slagjan Trajkoviq, duke e dënuar me 10 vjet burim.

Aktgjykimi u shpall të premten.

Gjykatësi Ngadhënjim Arrni tha se Trajkoviq është fajtor për pikën C të aktakuzës dhe të njëjtin Gjykata e gjykon me dënim me 10 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, atij i vazhdohet me aktvendim të veçantë.

Trajkoviq obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

Sa i përket pikës A, B dhe D të aktakuzës, gjykatësi Arrni tha se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer ato veprime inkriminuese për të cilat e ngarkon aktakuza.

Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq, të cilin e akuzonte për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq akuzohej se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohej se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimi për Drejtësi