Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit.
Kjo festë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e krishterë dhe simbolizon lindjen e shpresës dhe dritës.
Në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Gjatë fjalimit të tij, ai bëri thirrje për paqe, ndërsa shtoi se kjo festë është momenti më i mirë për ta falënderuar Zotin.
Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje që njerëzit të bëhen bashkë për paqe dhe drejtësi.
Ai ndër tjera tha se Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik dhe të përshpejtojë rrugën drejt hyrjes në familjen evropiane dhe të ruajë vlerat e shoqërisë.
“Ndërsa po jua përcjell këtë porosi për një festë kaq madhështore, e ndiej të nevojshme t’ju ftoj që, në zgjedhjet e pas Krishtlindjes, të jemi të përgjegjshëm për të marrë vendimin sipas ndërgjegjes dhe për të restauruar gjendjen në vitin që po e lëmë pas, duke kryer obligimin qytetar. Pasi kështu do të kontribuojmë të gjithë që vendi ynë të ketë një stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe ta ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, tha ai.
Ipeshkvi i Kosovës foli edhe për gjendjen globale, duke theksuar se bota po përballet me pasoja të rënda për shkak të mungesës së dashurisë, arsyes dhe drejtësisë në vendimmarrje.
“Bota sot po përballet me frikën e shkatërrimit, pasi ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes, sepse e ka humbur fuqinë e arsyes dhe po merren vendim sipas interesave të fortëve dhe jo sipas drejtësisë. Mjerisht, kjo mënyrë e të menduarit, kjo formë e veprimit dhe kjo qasje ndaj njerëzit tjetrit po merr jetë njerëzish gjithandej botës ku ka luftë, padrejtësi e varfëri”, tha ai.
Sipas Dodë Gjergjit, kjo qasje ka pasoja të rënda edhe për brezat e rinj dhe për shpresën e tyre për të jetuar në paqe dhe dashuri.
“Kjo ka plagosur rëndë ndërgjegjen politike të botës. Mbi të gjitha po shkatërron shpresat e brezave të ri dhe po i bën të paaftë ata që të jetojnë në paqe dhe dashuri. Nuk është e mirë as gjendja mes nesh e për këtë nuk mund ta fajësojmë askënd, por të ndihemi bashkëfajtorë për çdo situatë që nuk e kemi në nivelin e duhur”, tha ai.
Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit.
Për herë të parë që nga zgjedhja e tij në krye të Kishës Katolike, Papa Leo XIV kremtoi Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke i dhënë festës jo vetëm solemnitetin e traditës, por edhe një dimension të fortë njerëzor.
Pak minuta përpara nisjes së liturgjisë, Ati i Shenjtë doli papritur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke sfiduar shiun e dendur që kishte përfshirë Romën. Mijëra besimtarë e pritën Papën me emocione të forta dhe duartrokitje, në një moment të papritur e simbolik.
I prekur nga përkushtimi i tyre, Papa Leo XIV iu drejtua turmës me një mesazh mirënjohjeje dhe bekimi.
“Faleminderit që erdhët, edhe në shi. Urimet më të mira për të gjithë. Le ta festojmë Krishtlindjen së bashku. Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit. Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë të gjitha familjet tuaja.”, tha ai.













