Pas përurimit të urave në Mitrovicë, Ministria Infrastrukturës shton edhe 297 mijë euro punë shtesë

Vetëm disa ditë pasi Qeveria e Kosovës organizoi përurimin e dy urave në Mitrovicë, dokumentet zyrtare tregojnë se projekti nuk ka qenë i përfunduar në tërësinë e tij. Në kundërshtim me mesazhin publik të dhënë gjatë ceremonisë, Ministria e Infrastrukturës ka publikuar tashmë një njoftim të ri për dhënie kontrate, që lidhet drejtpërdrejt me të njëjtin projekt, shkruan Demokracia.com.

Sipas njoftimit të publikuar sot (në ditë pushimi) nga Ministria e Infrastrukturës, bëhet fjalë për punë shtesë në projektin “Ndërtimi i mbikalimeve (urave) për këmbësorë dhe automjete në Mitrovicë”. Kontrata është dhënë për operatorin të njëjtë ekonomik EUROKOS HOLDING SH.P.K., me një vlerë prej 297,081.03 euro.

Dokumentet e siguruara tregojnë se këto punë shtesë janë miratuar pas përurimit zyrtar të urave, çka ngre dyshime serioze se si një projekt që prezantohet publikisht si i përfunduar, rezulton më pas të ketë nevojë për ndërhyrje shtesë financiare nga buxheti i shtetit. Kjo i ngre dyshimet edhe më shumë se përurimi i tyre është bërë për efekt elektoral, pak para zgjedhjeve.

Punët shtesë lidhen me elemente ndërtimore që, sipas standardeve të projektimit dhe praktikave të zakonshme të prokurimit publik, do të duhej të ishin të parashikuara që në projektin fillestar. Kjo e forcon dyshimin se projektimi i urave ka pasur mangësi, të cilat po korrigjohen vetëm pasi projekti është prezantuar si sukses i përfunduar qeveritar.

Kujtojmë se projektimi i njërës nga urat është realizuar nga kompania “Infratek”, e lidhur me Halil Jahajn,  i njohur në opinion si “daja i Vetëvendosjes” çka i jep edhe më shumë peshë dyshimeve për mënyrën se si është menaxhuar ky projekt nga faza e projektimit deri te realizimi në terren.

Hetimi për dy urat e Mitrovicës: “Daja i Vetëvendosjes” bëri projektin e njërës urë

Publikisht, urat u shpallën të përfunduara dhe u përuruan nga Qeveria e Kosovës si projekt i realizuar. Në dokumente, megjithatë, realiteti del ndryshe. Vetëm pak ditë pas ceremonisë, Ministria e Infrastrukturës shpall kontratë të re për punë shtesë, duke dëshmuar se jo gjithçka ishte gati në momentin e përurimit.

Ky mospërputhje mes propagandës zyrtare dhe dokumentacionit administrativ ngre dyshime serioze për mënyrën se si po menaxhohen projektet publike: përurime të nxituara, projekte të papërfunduara dhe kosto shtesë që vijnë më pas në heshtje. Në fund, qytetarët nuk paguajnë vetëm betonin dhe hekurin, por edhe pasojat e një qeverisjeje që preferon ceremoninë para përfundimit real të punëve. /Demokracia.com/

Punët shtesë:

Lexo edhe:

Tenderi i urave në Mitrovicë: Të gjitha kompanitë u eliminuan me arsyetime copy-paste, kontrata përfundon te kompania e afërt me pushtetin

Kompania e shokut të Hysen Durmishit shihet duke punuar tek urat në veri

Pas urave, Eurokos Holding merr edhe rrugën lidhëse në Mitrovicë me negociim pa garë