Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, i ka shprehur ngushëllime familjes Mustafa për ndarjen nga jeta të Jahja Mustafa, babait të Calit.
Ai e ka kritikuar Gjykatën Speciale, e cila nuk e lejoj ish-eprorin e UÇK-së që të vizitoi për herë të fundit babanë e tij.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se të mos kesh mundësinë t’i japësh lamtumirën babait tënd është një dhimbje e rëndë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Jahja Mustafa, babait të Calit. Humbja e një prindi është një plagë e rëndë për çdo njeri, por ajo bëhet edhe më e dhimbshme kur shoqërohet me padrejtësi të mëdha. Të mos kesh mundësinë t’i japësh lamtumirën babait tënd, ta shohësh apo ta përqafosh për herë të fundit, është një dhimbje e rëndë. Këto janë plagë që nuk i shkakton vetëm humbja, por edhe shkelja e dinjitetit njerëzor dhe e të drejtave themelore. Në këtë dhimbje të madhe, jemi pranë Calit dhe familjes së tij me zemër e mendje. Ju shprehim forcë, durim dhe paqe për ta përballuar këtë humbje të madhe. Ngushëllimet tona më të sinqerta”, ka shkruar ai.













