Mëngjesin e së enjtes, erdhi një lajm i kobshëm për Salih Mustafën – Calin, i cili është duke e vuajtur dënimin me burgim prej 15 vjetësh në Gjykatën e Hagës.
Babai i tij, Jahja Mustafa, që ishte i shtrirë në spital për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore, vdiq.
Calit nuk i ishte aprovuar kërkesa për lirim të përkohshëm për të vizituar babanë e tij sa ishte në spital, raporton Klankosova.tv.
E ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi të Speciales.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Haradinaj fillimisht i ka shprehur ngushëllime familjes së Calit për dhimbjen, të cilën thotë se e shtoi Specialja si një “gjykatë politike e raciste”.
“I shpreh ngushëllime familjes së Calit, shokëve, dashamirëve, shokëve e bashkëluftëtarëve, për këtë dhimbje që e shtoi kjo gjykatë dhe që tregoi se kjo nuk është gjykatë drejtësie, por gjykatë politike e gjykatë raciste”, deklaroi Haradinaj.
Ai është i mendimit se Gjykata Speciale e ka një qëllim, e që sipas tij, është që t’i thyejnë moralisht përfaqësuesit e UÇK-së.
Por, ai s’la pa e drejtuar gishtin edhe te pushteti në Kosovë.
Specialja, Haradinaj thotë se ia nxori patriotizmin fals që, sipas tij, e kanë disa nga pushtetarët në vend, që nuk kanë vepruar asgjë për pjesëtarët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Madje, tha se janë bërë bashkë më trupin gjykues të Dhomave të Specializuara.
“Dikujt ia nxori edhe trimërinë, edhe guximin, edhe patriotizmin. Më vjen keq ma së shumti që e nxori patriotizmin fals të pushtetarëve, që e patën këto vite këtë Kosovë dhe që nuk bënë asgjë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk patën as vullnet e as dëshirë, në një mënyrë u bënë një më trupin gjykues e atë gjykatë, që po e dënon Kosovën dhe jo individët”, deklaroi Nasim Haradinaj.
Në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë u organizuan edhe shumë protesta, nga Prishtina e deri në Hagë.
Në asnjërën prej tyre, si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve – përkrahja qytetare nuk mungoi.
Por, dora e shtetit nuk u pa në asnjërën prej tyre, sipas Gazmend Sylës, nënkryetar i OVL-UÇK.
“Në rrethana normale, po të funksiononte shteti si duhej, u desht shteti me i bo këto punë sepse në rrafshin diplomatik është shteti ai që duhet”, tha Syla për Klan Kosova.
Me mbështetje të ekzekutivit, Syla u shpreh i bindur se edhe si proces, gjykimi do të zhvillohej ndryshe.
“Nuk mundesh me i hap dyert e institucioneve ndërkombëtare si organizatë sikur naj zyrtar shteti”, theksoi ai.
Prishtina, Haga, Tiranë, Strasburgu e Shkupi qenë vendet që kundërshtuan fort procesin gjyqësor në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Lamtumira e mohuar nga Specialja
Por, rasti i Calit nuk është hera e parë që Gjykata Speciale refuzon kërkesa të tilla për të dënuarit apo të akuzuarit që aktualisht gjenden në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, raporton Klankosova.tv.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u përball këtë vit me një fatkeqësi familjare.
Atij i vdiq babai, Haxhiu, më 16 mars.
Thaçi nuk u lejua nga Specialja të merrte pjesë në varrim më 18 mars, por erdhi më 21 mars për ta vizituar varrin e babait në fshatin Burojë të Skenderajt.
Njëjtë në ceremoni mortore të familjarëve të tyre të afërt, munguan edhe disa ish-liderë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishin në paraburgim në Hagë.
Goditja e parë erdhi për Kadri Veselin, kur më 7 korrik 2021 i vdiq babai. Atij nuk iu dha leja të ishte pjesë e varrimit, por vetëm e të pames.
E gjashtë muaj më vonë, më 7 janar 2022, ai humbi edhe nënën.
As kësaj here nuk iu njoh e drejta të ishte pranë saj për lamtumirën e fundit.
Ndërkaq nga katërshja e UÇK-së, pjesëmarrja në varrim nuk iu bë e mundur as Jakup Krasniqit, të cilit i vdiq vëllai më 5 tetor 2024.
Atij iu u lejua vetëm një vizitë e shkurtër në Negroc.
Ndonëse tash të liruar nga Haga, por me të njëjtën padrejtësi u ballafaquan edhe Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Gucati ishte njoftuar më 27 maj 2022, se babai i tij nuk jetonte më.
E megjithatë, edhe ai mbeti larg nga mosaprovimi i kërkesës nga Gjykata Speciale.
Më 2 mars 2023, nga një qeli tjetër në Hagë, Nasim Haradinaj mësoi për vdekjen e vëllait të tij, Agronit, një ish-ushtar i UÇK-së.
Por për të, kufizimet ishin edhe më të rënda: nuk iu lejua as pjesëmarrja në varrim e as në vizitë tek familja.
E tani pas vdekjes së Jahja Mustafës, s’dihet nëse do t’i mundësohet të birit pjesëmarrja në varrim, në të pame – apo do t’i refuzohet kërkesa në tërësi.
Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Dhomat e Specializuara për këtë çështje, por deri në momentin e raportimit, përgjigje nuk ka. /Klankosova.tv













