Tragjedi në Mesdhe: 116 emigrantë nga Libia të vdekur, vetëm një i mbijetuar

Lajmin e ka bërë të ditur organizata humanitare Sea Watch.

Një tragjedi e re godet Mesdheun: 116 emigrantë humbën jetën në një anije që u fundos gjatë rrugës nga Libia drejt Evropës.

Lajmin e ka bërë të ditur organizata humanitare Sea Watch, sipas së cilës vetëm një person ka mbijetuar dhe është shpëtuar nga një peshkarexhë tuniziane.

Anija kishte nisur udhëtimin të enjten nga bregdeti i Libisë dhe pak më pas kishte dërguar sinjal emergjence. Sipas dëshmisë së të mbijetuarit, disa orë pas nisjes moti përkeqësohej me erëra deri në 40 km/orë.

Organizata Alarm Phone kishte njoftuar rojet bregdetare dhe organizatat humanitare që më 19 dhjetor, por nuk kishte arritur të kontaktonte anijen. Tragjedia u konfirmua më 21 dhjetor, kur peshkatarët tunizianë gjetën të mbijetuarin mbi një varkë druri.

Autoritetet dhe organizatat humanitare vazhdojnë verifikimin e detajeve të ngjarjes, që vjen si një tjetër rast tragjik përgjatë rrugës së rrezikshme të Mesdheut Qendror.