Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, pas një pune intensive hetimore të zhvilluar nga Njësia e Hetimeve e stacionit policor në këtë komunë.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari F.A., 29 vjeç, dyshohet se më 9 dhjetor 2025, rreth orës 18:30, ka depërtuar me forcë në objektin fetar “Xhamia e Vogël”, që ndodhet në rrugën “Hamzë Jashari” në Ferizaj, nga ku ka vjedhur një shumë parash nga arka e bamirësisë.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar dy palë atlete, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.













