OSBE vëren mungesë serioze të bashkëpunimit ndërkomunal në Kosovë

OSBE ka thënë se bashkëpunimi ndërkomunal në Kosovë mbetet i kufizuar dhe i pashfrytëzuar.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, përmes një raporti mbi bashkëpunimin ndërkomunal, ka kritikuar nivelin e këtij bashkëpunimi, duke vlerësuar se ai mbetet i kufizuar dhe i pashfrytëzuar mjaftueshëm.

Sipas raportit, mungesa e bashkëpunimit ndërkomunal rezulton në humbjen e mundësive për ofrimin e shërbimeve më cilësore, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet komuniteteve.

“Pavarësisht këtyre përfitimeve potenciale, raporti ynë konstaton se bashkëpunimi ndërkomunal është ende shpeshherë joformal, i pastrukturuar ose nuk ndodh fare. Si rezultat, humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komuniteteve”, ka thënë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk.

Raporti, ndër të tjera, e vlerëson si një mundësi të rëndësishme investimin në bashkëpunimin ndërkomunal, si mjet për qeverisje lokale gjithëpërfshirëse, me kosto efektive dhe të qëndrueshme në Kosovë.

Në raport rekomandohet thjeshtimi dhe modernizimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të lehtësohet dhe përshpejtohet procesi i themelimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërkomunal, si dhe krijimi i stimujve domethënës të politikave, përfshirë një fond të dedikuar dhe të qasshëm për bashkëpunimin ndërkomunal, me kod buxhetor, të mbështetur nga udhëzime strategjike, modele dhe mentorim.

Po ashtu, raporti rekomandon forcimin e mbështetjes institucionale, veçanërisht përmes rritjes së kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’i këshilluar komunat, për të monitoruar marrëveshjet dhe për të promovuar përpjekjet për bashkëpunim ndërkomunal.

Një tjetër rekomandim është promovimi i bashkëpunimit ndërkomunal si shtytës i gjithëpërfshirjes, duke përfshirë bashkëpunimin në reagimin ndaj dhunës me bazë gjinore, shërbimeve për të rinjtë, si dhe iniciativave ndërmjet komunave me shumicë dhe struktura të ndryshme komunitetesh.

Qeverisja e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje është kritikuar vazhdimisht për favorizimin e komunave në të cilat ajo udhëheq, duke lënë anash komunat e qeverisura nga subjekte të tjera politike dhe duke mos i shpërndarë mjetet buxhetore në mënyrë të barabartë.