Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka vizituar sot qytetin e Gjilanit, ku paraditen e kaloi në takime me qytetarë në Tregun e Gjelbër.
Ismaili tha se gjatë bisedave me qytetarët, shqetësimi kryesor i tyre lidhet me rritjen e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike dhe çmimet e larta të produkteve bazike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për shumë familje, veçanërisht në këtë periudhë dimri.
Ai theksoi se programi i kandidatit për kryeministër Bedri Hamza ofron zgjidhje konkrete për këtë situatë. “Me programin e Bedri Hamzës, do ta heqim TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike dhe nga produktet esenciale, në mënyrë që qytetarët të paguajnë më pak për rrymën dhe për gjërat bazike të përditshme”, tha Ismaili.
Sipas tij, këto masa synojnë uljen e kostos së jetesës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, duke i bërë ekonomitë familjare më të qëndrueshme.













