Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë me shkrim për Gazetën Express e ka cilësuar vitin 2025 si “vit të çuar dëm” për Kosovën, duke e lidhur drejtpërdrejt mungesën e përparimit politik dhe institucional me pamundësinë për të shtyrë përpara dialogun me Serbinë dhe agjendën euroatlantike të vendit
Sipas tij, ngërçi i brendshëm politik dhe vonesat në formimin e institucioneve funksionale kanë prodhuar pasoja reale për stabilitetin, qeverisjen dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.
Hargreaves, ambasadori britanik në Kosovë thotë se Kosova ka sfida të rëndësishme përpara dhe se Mbretëria e Bashkuar pret shpejt formimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kjo, siç vëren ai, do të kërkojë bashkëpunim dhe kompromis mes subjekteve politike. Në vitin që po vjen, ai pret përparim në dialogun me Serbinë, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.













