“200 mijë kanë ikë, ku i punësove 85 mijë” – Kurti kritikohet pas krekosjes se papunësia ka rënë

Krekosja e Albin Kurtit në këtë fushatë zgjedhore për punësimin e 85 mijë personave përveç nga politikanët, u kritikua fort edhe prej qytetarëve.

Numri i atyre që e braktisën vendin është goxha i lartë, ndërsa kjo deklaratë e kryetarit të VV-së, po konsiderohet rrenë pikërisht nga disa qytetarë që e lanë vendin.

Në postimin e kësaj partie, ku u nda një video nga një tubim zgjedhor i kësaj partie, në të cilin Kurti e konsideronte sukses rënien e papunësisë, gjysma e komentuesve, i reaguan ashpër atij.

Në më shumë se 70 komente në këtë postim, qytetarët janë shprehur të revoltuar, nuk i kanë besuar kryetarit të VV-së, e madje ia kanë rikujtuar largimet nga Kosova.

Mes tyre, kishte të atillë që e kanë lëshuar vendin, për shkak të ‘ngufatjes e shkatërrimit’ të shtetit.

“A je ka e llogarite ne që e kemi lëshu vendin, a jemi të larguar nga statistikat, apo jemi ende në listat e të punësuarve ekzistues?” – ia ka bërë dikush një pyetje.

“O jemi ikë, jemi punësuar jashtë Kosovës se e ke ngufatë ekonominë e Kosovës, je shkatërrus i shtetit”, ka komentuar një kosovar tjetër, transmeton Klankosova.tv

Një numër i tyre i kanë quajtur deklaratat e Kurtit të pavërteta, duke ironizuar se rritja e punësimit ka ndodhur jashtë Kosovës.

“Rrena”; “200.000 njerëz të ikur dhe punësuar në perëndim, ky është rezultati i vërtet dhe jo gënjeshtra”, Po rren se po ikë rinia çdo ditë prej Kosovës, ku i ke punësuar, në cilën fabrikë?”; “Po ky me këqyr veten në tv, nuk beson që është t’u fol, çuditet me veten, thotë kush është ky që po fol kështu palidhje, marre!”.

Disa qytetarë kanë shkruar se 85 mijë persona, për të cilët flitet si të punësuar, në fakt janë punësuar në vendet evropiane.

“Ka 1 autobus për Gjermani, për Austri, Suedi, Finlandë, etj…”; “Në Gjermani po janë punësuar t’u ukë prej Kosovës, për shkakn tënd”, “Ata ndoshta janë punësuar jashtë, duke ikur nga atdheu e politikat” – shkruanin të tjerë komentues.

Largimi i një numri të madh të qytetarëve nga vendi u përmend edhe dje nga kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Shala tha se rreth 200 mijë veta e kanë lëshuar vendin për këto pesë vjet.

“200 mijë veta me ta lëshu vendin për këto pesë vjet, i bjen një komunë. Komuna nga vi unë i ka 70 mijë banorë, komuna e Vushtrrisë. Llogaritni që dy Vushtrria e kanë lëshuar vendin”, u shpreh ai.

Fjalëve të Kurtit në fushatë elektorale, nuk iu besojnë as në Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovës.

Sipas Jusuf Azemit, krejt numrat që po përmenden nga lideri i Vetëvendosjes, janë veç sa për vëmendje elektorale.

Për shkak të pagave e kushteve jo të mira të punës, kryesindikalisti ka deklaruar se numri i atyre që braktisën Kosovën gjatë qeverisë Kurti 2,  është goxha i lartë.