“Secili do ta ketë pushkën”, thirrja e Kurtit ‘mobilizim imagjinar’: Frikën për luftë po e shndërron në vota

Deklaratat krekosëse të Albin Kurtit për ushtrinë e Kosovës, janë komentuar sot në ‘Ora Shtatë’ në Klan Kosova, ku u tha se investimet në armatim nuk janë sukses i VV-së. Ikja e ushtarëve nga FSK u konsiderua mjaft shqetësuese, ndërsa një thirrje e liderit të VV-së së fundmi për ‘armatosje’, u quajt mobilizim imagjinar.

Nga Obiliqi, Kurti para disa ditësh e përmendi një sistem ku secili qytetar mund të armatoset, por pushkën ta mbajë në FSK dhe në rast të ndonjë rreziku, ta ndihmojnë ushtrinë.

“Të gjithë ju që jeni të interesuar mund të bëheni pjesë e rezervës vullnetare të ushtrisë, do t’i kryeni ushtrimet e trajnimet në kuadër të mbrojtjes gjithëpërfshirëse. Secili prej jush do ta dijë ku do të jetë e çfarë do të bëjë, në rast të fatkeqësisë natyrore, apo konfliktit të armatosur. Do të kryhen edhe kurset për ndihmën e parë, edhe kurset përdorimin e armëve dhe secili prej jush do ta ketë pushkën, jo te shpija, por në kazermë të FSK-së. Ju do ta dini vendin ku e keni pushkën në rast të rrezikut për shtetin e për kombin tonë. Por po ashtu, edhe ata në FSK, do ta dinë ku jeni ju në rast të një rreziku të tillë.” – kishte deklaruar Kurti.

Gazetari Vullnet Krasniqi e quajti imagjinare këtë thirrje, që lidhet me frikën e qytetarëve, të cilën sipas tij, Kurti po e kapitalizon që ta përkthejë në vota.

“E pash një deklaratë të Kurtit, që çdo qytetar një armë…diçka e tillë ideja, folke për një sistem të ushtrisë, kur secili shkon me kry ushtrinë. Çka është ky plan…jo me pasë një armë, por me pasë në kazermë kur të nis lufta. Njëfarë mobilizimi imagjinar. Problemi kryesor, kapitalizimi i frikës në rastin e ushtrisë. Në luftërat që po shohim, popullata nuk përfshihet shumë. Por fakti që qytetarët kanë frikë, çka i kujton lufta…kur flet në këtë kontekst, e kapitalizon frikën e tyre me shndërru në vota” – tha Krasniqi në ‘Ora Shtatë’, transmeton Klankosova.tv

Deklaratën e Kurtit, Argjend Seftolli e kritikoi, ndërsa u shpreh se “Veç Shqipëria në kohën komuniste ka bërë thirrje të tilla.”

Edhe largimi i ushtarëve nga Kosova u diskutua si një çështje mjaft delikate për FSK-së, duke renditur arsyet, që mes tjerash janë edhe kushtet e pagat e tyre.