Blerta Deliu Kodra, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar me energjinë elektrike në vend, duke theksuar se ndërprerjet e rrymës nuk janë pasojë e mungesës së energjisë, por siç tha ajo, “mafisë energjetike të rehatuar brenda Qeverisë”.
Sipas Deliu Kodrës, Kosova ka pasur furnizim të rregullt me energji dhe zgjidhje konkrete, por vendimet qeveritare kanë favorizuar interesa private në dëm të qytetarëve. Ajo përmendi emra të caktuar që, sipas saj, nuk kanë asnjë lidhje me interesin publik, por me fitime milionëshe, skema të dyshimta dhe, potencialisht, financime fushatash.
“Qytetarët po paguajnë energjinë më shtrenjtë, shteti po shtiret i pafuqishëm, ndërsa një rreth i ngushtë i të privilegjuarve po përfiton miliona. Kjo nuk është krizë energjetike – kjo është kapje e shtetit dhe vjedhje e shtetit,” ka deklaruar Deliu Kodra.
Ajo theksoi se Qeveria ka zgjedhur interesin privat mbi interesin e qytetarëve dhe se pasojat po i vuajnë familjet dhe bizneset në gjithë vendin.













