Ministrat e Kurtit “vlojnë” me aktakuza, hetime milionëshe dhe asnjë dorëheqje

Me “Siguri dhe begati”, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon votat e qytetarëve edhe për një mandat tjetër qeverisës.

Mirëpo, pikërisht për keqpërdorimet e begatisë po akuzohet njëra nga ministrat kyç në qeverinë Kurti 2.

Emri i Rozeta Hajdarit, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e akuzuar për aferën e rezervave shtetërore ku hyjnë vaji, mielli e gruri, ndodhet në krye të listës së VV-së me numrin 21.

Prokuroria Speciale e Kosovës, më  11 nëntor të vitit 2025, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.

E për dëmin mbi 3 milionësh që akuzohet t’i ketë shkaktuar vendit, ka thënë se nuk ndjehet fare fajtore. Largimin nga pozita nuk e ka çuar në mend. Por, kjo nuk ishte aktakuza e vetme e ngritur ndaj Hajdarit.

Më 13 tetor 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit për mosdeklarim të pasurisë.

Për këtë vepër, më 29 dhjetor 2022, ajo u dënua me 700 euro gjobë. Por ky nuk ishte rasti i vetëm.

Më 24 tetor 2023, pa kaluar as një vit, Hajdari u dënua sërish nga Gjykata e Prishtinës, kësaj radhe për një aksident trafiku, ku me veturë goditi një vajzë 10-vjeçare. Edhe në këtë rast, gjykata e dënoi vetëm me gjobë prej 200 eurosh.

Nën llupën e drejtësisë gjendet edhe ministri i Zhvillimit Rajonal në detyrë Fikrim Damka, i cili akuzohet se i shkaktoi shtetit mbi 1 milion euro dëm.

Edhe emri i Hysen Durmishit, i cili është ministër në detyrë i Infrastrukturës i është shtuar sfidave ligjore që kanë goditur ministrat e Qeverisë Kurti 2.

Me ligjin u përplas edhe ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ndërkohë, pa aktakuzë penale, por nën hetime, është përballur edhe Faton Peci, ish ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili tashmë ka nisur punën si kryetar i komunës së Mitrovicës.

Ardhja e tij në pushtet u premtua se do të shënonte zero tolerancë ndaj korrupsionit, përgjegjësi politike dhe dorëheqje të menjëhershme për çdo zyrtar që përballet me drejtësinë, raportin Kiks Kosova.

Por sot, si kryeministër, realiteti i pushtetit duket se ka zbutur standardet që dikur i konsideronte të panegociueshme.

Në qeverinë që ai drejton, disa ministra janë përballur ose vazhdojnë të përballen me procese gjyqësore dhe aktakuza, për raste që lidhen pikërisht me kohën sa ishin në opozitë.

Paradoksi bëhet edhe më i thellë kur kujtohet se vetë Kurti, më 3 janar të vitit 2018, sa ishte deputet në opozitë, u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht për veprat penale “përdorim i armës” dhe “pengim i personit zyrtar”.

Sot, standardi që dikur kërkonte largimin e menjëhershëm nga funksioni publik, nuk zbatohet më me të njëjtën rreptësi. Nga “hajnat në burg” te qeverisja me ministra nën hetim apo aktakuzë, duket se rruga e drejtësisë është më e lehtë kur je në pushtet.

Së fundmi, Kurti refuzoi t’i përgjigjet thirrjeve të Prokurorisë Speciale, për të dëshmuar lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Standardet për dorëheqje dhe përgjegjësi politike që Lëvizja Vetëvendosje i ka promovuar sa ishte në opozitë, sot po vlerësohen si të braktisura.

Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, sipas të cilit çdo zyrtar i dyshuar apo me aktakuzë për korrupsion, do të duhej të jepte dorëheqje për të mos ndikuar në procesin gjyqësor.

Miftaraj thekson se parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të proklamuara në opozitë, janë shkelur në mënyrë masive pas ardhjes në pushtet të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai përmend si shembull rastin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ndaj të cilit janë ngritur dy aktakuza, por që, sipas tij, ka marrë mbështetje publike nga vetë kryeministri Kurti

Miftaraj thekson se në katër-pesë vitet e fundit mbi 40 zyrtarë të lartë publikë janë amnistuar nga gjykatat për deklarim të rremë të pasurisë, për shkak të interpretimeve të gabuara ligjore.

Ndërkohë, analisti politik Agon Maliqi vlerëson se shpallja e një aktakuze duhet të shihet si moment për përgjegjësi morale, edhe pse ajo nuk nënkupton domosdoshmërisht fajësi penale.

Sipas Maliqit, mbështetja politike e kryeministrit Kurti për kabinetin e tij me aktakuza, ka krijuar një ndjenjë superioriteti ndaj sistemit të drejtësisë.

Maliqi shton se refuzimi i kryeministrit për t’u paraqitur në Prokurori ka dërguar sinjal të keq politik dhe ka ndikuar negativisht në perceptimin e pavarësisë së hetimeve.