Policia arreston një zyrtar policor, dyshohet se pranoi ryshfet nga një qytetar serb

Inspektorati i Policisë së Kosovës, ka njoftuar se kanë arrestuar  një zyrtar policor me dyshimin për marrje ryshfeti dhe një qytetar të dyshuar për dhënie ryshfeti.

Në njoftim thuhet se dyshimi se zyrtari policor gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare sot në Stacionin e Policisë Kufitare në Vërmicë, për përfitim financiar i ka mundësuar një qytetari të  Serbisë hyrjen në territorin e Kosovës, ndonëse këtij qytetari paraprakisht i ishte ndaluar hyrja në territorin e Kosovës.

Zyrtarit policor i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.

Më poshtë komunikata e plotë:

Komunikatë për media

IPK arrestoi një zyrtar policor me dyshimin për marrje ryshfeti dhe një qytetar të dyshuar për dhënie ryshfeti

Prishtinë/Vërmicë, 22 dhjetor 2025,

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale  “Marrje ryshfeti”.

Në bazë të hetimeve fillestare ekziston dyshimi se zyrtari policor gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare sot në Stacionin e Policisë Kufitare në Vërmicë, për përfitim financiar i ka mundësuar një qytetari të Republikës së Serbisë hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës, ndonëse këtij qytetari paraprakisht i ishte ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Pas pranimit të informacioneve të para për këtë rast, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimet me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren .

Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren,  nga hetuesit e IPK-së është arrestuar zyrtari policor kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me këtë rast është arrestuar edhe qytetari (shtetas i Republikës së Serbisë) dhe ndaj tij është iniciuar rast penal me dyshimin për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.