Kanë rrahur politikanin e SVP-së në Zvicër, tre të arrestuar, njëri prej tyre kosovar

Të tre akuzohen në lidhje me një sulm mbi René Schindler, 53 vjeç, anëtar i SVP-së i Zofingenit në parlamentin kantonal.

Në korrik, një politikan i SVP-së u sulmua në Zofingen. Policia kantonale e Aargaut arrestoi së fundmi tre persona në lidhje me këtë grindje. Të arrestuarit janë një shtetas zviceran 20-vjeçar, një shtetas gjerman 21-vjeçar dhe një shtetas kosovar 19-vjeçar, transmeton albinfo.ch

Të tre akuzohen në lidhje me një sulm mbi René Schindler, 53 vjeç,  anëtar i SVP-së i Zofingenit në parlamentin kantonal. Është kërkuar paraburgim, siç raportohet nga “Aargauer Zeitung”.

Ai ksihte pësuar lëndime në kokë, mavijosje dhe kishte humbur një dhëmb nga sulmi ndërsa po ecte për në shtëpi nga festivali tradicional i fëmijëve në Zofingen në orën 23:00. Ai kërkoi trajtim spitalor. Tre të rinjtë ikën para se të mbërrinte policia.

Sipas viktimës, sulmi kishte ndodhur pasi ai ishte përpjekur të ndërmjetësonte në mes të një grupi të rinjsh që ishin duke u rrahur mes vete.

“Policia ka bërë një punë të shkëlqyer,” thotë Schindler për gazetën  “Aargauer Zeitung”. “Ndihesha se po merrem seriozisht dhe po mbështetesha mirë gjatë gjithë procesit”, thotë ai.

Vetë Schindler kontribuoi në hetim.

“Dikush më dërgoi foto të një të riu dhe unë njoha njërin nga sulmuesit e mi në to”, shpjegoi ai. “Pastaj ia dërgova fotot policisë”, përcjell albinfo.ch. Më vonë, atij iu treguan edhe foto të tjera në të cilat ai njohu një autor të dytë me “siguri 98 për qind”.

Arrestimet u bënë të mundura “falë punës së kujdesshme hetimore të policisë kantonale”, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik për gazetën AZ.