Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një rritje të lehtë të numrit të pasagjerëve gjatë periudhës 15–21 dhjetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Demokracia.com.
Sipas të dhënave zyrtare të aeroportit dërguar Demokracia.com, gjatë kësaj jave janë regjistruar gjithsej 89.913 pasagjerë, prej tyre 56.706 në hyrje dhe 33.207 në dalje. Ditët me ngarkesën më të madhe kanë qenë 19, 20 dhe 21 dhjetori, ku secila ka pasur mbi 10 mijë pasagjerë në arritje dhe mbi 6.500 pasagjerë në shkuarje.
Megjithëse këtë vit zgjedhjet nacionale mbahen më 28 dhjetor, vetëm tri ditë para ndërrimit të viteve, të dhënat nuk tregojnë ndonjë rritje të theksuar të fluksit që do të lidhej drejtpërdrejt me këtë proces zgjedhor. Përkundrazi, lëvizjet e regjistruara konsiderohen brenda parametrave normalë për këtë periudhë të vitit, e cila tradicionalisht karakterizohet me kthimin e mërgimtarëve për festat e fundvitit.
“Në aspektin e operimeve ajrore, gjatë periudhës 15–21 dhjetor janë realizuar 317 fluturime, që përbën një rritje prej 6.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar, kur ishin regjistruar 298 fluturime”, ka njoftuar Zyra për marrëdhënie me publikun e Aeroportin “Adem Jashari”, pwr Demokracia.com.
Sa u përket destinacioneve, Zvicra dhe Gjermania vazhdojnë të mbeten vendet me numrin më të madh të fluturimeve dhe pasagjerëve, duke reflektuar lidhjet e vazhdueshme të diasporës kosovare me këto shtete.
Demokracia.com ka mësuar se gjatë ditëve të fundit disa avionë, të cilët për shkak të mjegullës nuk kanë mundur të aterojnë në Shkup, kanë ateruar në Prishtinë. Në pyetjen se sa është numri i avionëve që kanë ateruar në Prishtinë për shkak të mjegullës, Zyra për Informim nuk ka dhënë përgjigje. /Demokracia.com/













