Depay nuk përmbahet: Drejtuesit e Corinthians të largohen, le të bëjnë katastrofa diku tjetër

Memphis Depay kalon në sulm. Holandezi 31-vjeçar foli ashpër kundër drejtuesve të Corinthians, pavarësisht fitores së ekipit në finalen e Kupës së Brazilit. Pak pasi shënoi golin vendimtar, që i dha trofeun kundër Vasco da Gama (2-1) në “Maracanã”, holandezi, me kontratë që i skadon më 31 dhjetor, kritikoi rëndë disa anëtarë të menaxhmentit dhe kërkoi ndryshime të brendshme.

“Njerëzit e drejtimit duhet të zgjohen, – tha Depay. – E di saktësisht për kë flas, edhe ata e dinë kush janë. Të largohen nga ky klub dhe le të bëjnë katastrofa diku tjetër. Ky klub duhet të rritet, duhet të luftojë çdo vit për ‘Libertadores’ dhe ‘Brasileirão’, sepse tifozët e meritojnë”.

Kjo nuk është hera e parë që Depay shpërthen, korrikun e kaluar u përplas me drejtuesit për shpërblime të papaguara dhe rinegocim kontrate. Vendimtar gjatë gjithë turneut, ai kishte shkëlqyer edhe në gjysmëfinale me golin e vetëm ndaj Cruzeiro (1-0). Goli në finale e shpalli Corinthians kampion dhe siguroi kualifikimin në fazën e grupeve të “Libertadores” sezonin e ardhshëm.

The post Depay nuk përmbahet: Drejtuesit e Corinthians të largohen, le të bëjnë katastrofa diku tjetër appeared first on Telesport.