Amerika e Trumpit: Nga menaxhimi te përfundimi i krizave

Pse po hyn diplomacia amerikane në fazën e përfundimit të konflikteve?

Vendimi i administratës së Donald Trump për të rikthyer në Uashington 29 ambasadorë dhe shefa misionesh karrierë nuk është një procedurë teknike, edhe pse kështu po përshkruhet zyrtarisht. Është shenja se diplomacia amerikane po del nga logjika e menaxhimit të krizave dhe po hyn në logjikën e përfundimit të tyre. Me mjete politike, me presion të drejtpërdrejtë dhe me pak hapësirë për manovrim lokal.

Departamenti i Shtetit e ka justifikuar këtë lëvizje si pjesë të kompetencave kushtetuese të presidentit. “This is a standard process. The President has the right to ensure that his representatives abroad are fully aligned with his foreign policy priorities.” (“Ky është një proces standard. Presidenti ka të drejtën të sigurohet që përfaqësuesit e tij jashtë vendit të jenë plotësisht të rreshtuar me prioritetet e politikës së tij të jashtme”).

Por ajo që po ndodh në terren tregon se nuk bëhet fjalë për rreshtim formal. Bëhet fjalë për ndryshim filozofie. Diplomacia nuk është më mekanizëm stabilizimi, por instrument vendimmarrjeje.

Diplomacia e re, ambasadorë politikë

Goditja ndaj diplomatëve karrierë ka alarmuar vetë trupën profesionale amerikane. American Foreign Service Association ka paralajmëruar se sistemi po shkon drejt konsumimit të brendshëm: “The Foreign Service is at a breaking point. Nearly one in four members has left since January 2025 due to layoffs, resignations, or removals.” (“Shërbimi i Jashtëm ndodhet në pikën e thyerjes. Gati një në katër anëtarë ka lënë detyrën që nga janari 2025 për shkak të largimeve nga puna, dorëheqjeve apo shkarkimeve”).

Nga këndvështrimi politik i administratës, ky nuk është problem. Është zgjidhje. Sepse një diplomaci me kujtesë të gjatë institucionale reziston. Ndërsa një diplomaci e politizuar zbaton. Kjo qasje është artikuluar hapur edhe nga Marco Rubio: “We need to reverse decades of bloat and bureaucracy and make American diplomacy effective again.” (“Duhet të përmbysim dekada fryrjeje dhe burokracie dhe ta bëjmë diplomacinë amerikane sërish efektive”).

Efektiviteti, në këtë fazë, nuk matet me raporte dhe takime, por me rezultate të shpejta politike.

Ballkani dhe fundi i menaxhimit të konfliktit

Në këtë kuadër, raporti mes Kosovës dhe Serbisë hyn në një fazë thelbësisht të re. Për herë të parë pas shumë vitesh, SHBA nuk duket më e interesuar të menaxhojë konfliktin, ta mbajë të ngrirë apo ta shtyjë pafund procesin. Mesazhi që po formësohet është i qartë. Ky proces duhet të përfundojë.

Serbia shihet gjithnjë e më shumë si shtet i ndikuar drejtpërdrejt nga Russia dhe Kina, jo vetëm ekonomikisht, por edhe strategjikisht. Në logjikën e re amerikane, kjo e vendos Beogradin në anën e gabuar të vijës gjeopolitike. Toleranca për balancim mes Perëndimit dhe Lindjes po mbyllet.

Nga ana tjetër, Kosova hyn në këtë fazë me një rrezik të dyfishtë. Ajo nuk guxon të hyjë në një betejë politike apo institucionale duke supozuar se SHBA do ta mbajë peshën e problemit. Në diplomacinë e re, aleati mbështetet vetëm nëse është funksional, i disiplinuar dhe kontribuues në zgjidhje, jo prodhues krize.

Kjo do të thotë se nga Prishtina do të kërkohet më pak retorikë morale dhe më shumë llogari politike. Më pak apel për drejtësi historike dhe më shumë gatishmëri për mbyllje procesi. Amerika nuk do të negociojë pafund me Serbinë dhe as nuk do të mbrojë pafund Kosovën nga pasojat e mungesës së koordinimit strategjik.

Analizë përmbyllëse

Riformimi i diplomacisë amerikane po prodhon një realitet të ri. Konfliktet e zgjatura nuk shihen më si çështje që menaxhohen, por si probleme që duhet të mbyllen. Vendet e vogla nuk vlerësohen më për qëndrimet simbolike, por për kapacitetin për t’u rreshtuar dhe për të mos e transferuar koston e vendimmarrjes te Uashingtoni.

Ballkani po hyn në një fazë ku fjala kyçe nuk është stabiliteti, por përfundimi. Dhe ky përfundim nuk do të vijë si kompromis i butë diplomatik, por si rezultat presioni politik. Në këtë logjikë të re, ata që nuk e kuptojnë ndryshimin do të vazhdojnë të flasin me gjuhën e vjetër, ndërsa realiteti do të ecë përpara pa i pritur.